Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli, ka njoftuar për përparimin e punimeve në autostradën Gostivar–Bukojçan, segment që do të shërbejë si anashkalim i qafës së Strazhës, transmeton Zyrtare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zekolli bëri të ditur se punimet po zhvillohen me ritëm të lartë, ndërsa paralelisht po realizohen edhe aktivitetet për vendosjen e shtyllave të viadukteve.
“Traseja po ndërtohet me ritëm të lartë, ndërsa paralelisht po punohet edhe në vendosjen e shtyllave për viadukte”, ka shkruar Zekolli.
Sipas saj, aktualisht po punohet në katër ura dhe një mbikalim, ndërsa njëra nga urat tashmë është përfunduar plotësisht.
Autostrada Gostivar–Bukojçan është pjesë e Korridorit 8 dhe konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, me qëllim përmirësimin e lidhjes rrugore dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.





