Aleanca për Shqiptarët ka nisur zyrtarisht procesin e konsolidimit të strukturave në terren para Kongresit të V-të të partisë. Në Kuvendin Themelues të degës së Bërvenicës, me mbështetje unanime, kryetar u zgjodh ekonomisti Idriz Idrizi.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe kreu i ASH-së, dr. Arben Taravari, i shoqëruar nga deputetët Halil Snopçe e Sadik Sulejmani dhe kryetari i Gostivarit, Valbon Limani.
“Dega e Bërvenicës ka qenë një ndër degët më kompakte, prandaj jo rastësisht e nisim këtë proces pikërisht nga këtu. Ecim edhe më fuqishëm drejt kongresit partiak,” deklaroi Taravari.
Sa i përket situatës politike në vend kryetari Arben Taravari në veçanti u ndal te çështja e integrimit evropian të vendit ku theksoi se fatkeqësisht në këto dy vite Maqedonia e Veriut sipas raportit të fundit të progresit të Bashkimit Evropian ka shënuar regres dhe tanimë është edhe pas Bosnjë dhe Hercegovinës.
“Aleanca për shqiptarët shtëpia jonë e përbashkët politike vazhdon që edhe më tutje të mbajë dyert e hapura për të gjithë ata shqiptarë që qëndrojnë të palëkundur përballë sfidave, duan të angazhohen për të kontribuar në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve për të fuqizuar pozitën e tyre në këtë shtet, dhe që kauzën kombëtare e konsiderojnë si prioritetin më të lartë”, theksoi Taravari.(INA)





