“Pamjet që shihni sot dallojnë dukshëm nga ato të para disa muajve. Zona që ishte shndërruar në deponi të improvizuar tashmë është pastruar. Pas ankesave të banorëve dhe raportimit të medias, komuna ndërhyri dhe largoi mbeturinat nga kjo zonë. Banorët presin që institucionet të vazhdojnë me mirëmbajtjen e rregullt për të parandaluar rikthimin e problemit”.
Vetëm pak muaj më parë, kjo hapësirë në Saraj pranë lumit Vardar, në rrugën drejt fshatit Rashçe ishte e mbuluar nga grumbuj të mëdhenj mbeturinash, duke krijuar pamje të pakëndshme dhe shqetësime për banorët e zonës. Pas raportimit të medias, autoritetet ndërhynë për pastrimin e kësaj pjese. Edhe pse pjesa më e madhe e mbeturinave tashmë është larguar, në terren ende mund të vërehen mbetje të shpërndara në disa pika, çka tregon se puna nuk është përmbyllur plotësisht. Por megjithatë ky aksion i pastrimit të zonës ka filluar vetëm një ditë më parë nga ku kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi së bashku me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, dhe ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, inspektuan punimet, si dhe nga komuna thonë se ekipet po punojnë intensivisht në largimin e mbeturinave të grumbulluara ndër vite.






