Maqedonia e Veriut do të ndryshojë politikën e saj për dhënien e “pasaportave të arta” për investitorët e huaj, por pa e hequr plotësisht dhënien e shtetësisë për arsye ekonomike. Vendi propozon të ndryshojë rregulloren që deri më tani ka përcaktuar një shumë specifike për investime për të marrë një pasaportë, shkruan Dojçe Vele (DW), transmeton Portalb.mk.
Ndryshimet vijnë pas rekomandimeve nga Komisioni Evropian dhe me qëllim parandalimin e abuzimeve dhe rreziqeve të sigurisë.
Sipas projektligjit, i cili u publikua në ENER, një arsye kryesore për ndryshimet e përgatitura nga Ministria e Brendshme (MPB) është Raporti i Komisionit Evropian, i cili thotë se dhënia e shtetësive ekonomike përbën një rrezik serioz për sigurinë dhe migracionin.
Komisioni rekomandon që vendet të përmbahen nga dhënia e shtetësive bazuar në një prag minimal investimi. Këto programe, të njohura si “pasaporta të arta”, janë vlerësuar si të papajtueshme me vlerat evropiane, veçanërisht pas vendimit kundër Maltës të 29 prillit 2025.
Ministria e Brendshme i tha Dojçe Veles (DW) se qëllimi kryesor i ndryshimeve legjislative të propozuara është të sqarojë më tej dispozitat e Ligjit për Shtetësinë, gjë që do të mundësojë zbatimin e tyre më efikas praktik.
“Sipas raportit dhe rekomandimeve të Komisionit Evropian, dhënia e shtetësisë të huajve me interes ekonomik mund të paraqesë një rrezik migrimi dhe sigurie, veçanërisht për shkak të kritereve të ndryshme që zbatohen”, tha Ministria e Brendshme.
Prandaj, qëllimi është të eliminohen abuzimet e mundshme përmes një kuadri normativ më të qartë, të futet kontroll më i madh dhe të sigurohet përputhshmëri e plotë me ligjin e Bashkimit Evropian.
Sipas Ministrisë së Brendshme, miratimi i ndryshimeve të propozuara legjislative në asnjë mënyrë nuk do të thotë që kriteri i lidhur me investimet hiqet, por vetëm eliminon mundësinë e abuzimit të tij “transaksional”. Deri më tani, investitorët e huaj mund të merrnin pasaportë të Maqedonisë nëse investonin të paktën 400,000 euro në sektorin real ose 200,000 euro në një fond investimi.
Ndryshimet ligjore heqin shumat fikse monetare për marrjen e shtetësisë. Modeli i ri parashikon mendim nga institucionet kompetente: çdo rast do të shqyrtohet individualisht, me një vlerësim nëse ekziston interes i veçantë shkencor, ekonomik, kulturor, sportiv ose ndonjë interes tjetër kombëtar në marrjen e shtetësisë dhe investimi nuk do ta garantojë më automatikisht këtë të drejtë.
Paralelisht, shteti po prezanton stimuj për emigrantët e tij. Ministria e Brendshme propozon të shkurtojë periudhën për rifitimin e shtetësisë nga tre vjet në tre muaj. Masa është pjesë e strategjisë për tërheqjen e personelit dhe forcimin e ekonomisë.
Praktika e lëshimit të “pasaportave të arta” në Maqedoninë e Veriut nuk është e re dhe ka funksionuar prej vitesh. Kjo mundësi rregullohet nga Neni 11 i Ligjit për Shtetësinë, i cili përcakton se një i huaj që ka mbushur moshën 18 vjeç mund të fitojë shtetësi me natyralizim nëse kjo përfaqëson një interes të veçantë shkencor, ekonomik, kulturor, sportiv ose interes tjetër kombëtar.
Të dhënat zyrtare tregojnë se mbi 370 shtetas të huaj kanë marrë pasaporta VIP për arsye të ndryshme sipas Nenit 11 të Ligjit për Shtetësinë në vitet e fundit.
Politika e “pasaportave të arta” është kritikuar shpesh për abuzime të mundshme. Ndër rastet më të famshme është biznesmeni indian Subrata Roy dhe djemtë e tij, të cilët morën shtetësinë e Maqedonisë në vitin 2013, por investimet e njoftuara nuk u realizuan kurrë.
Përveç kësaj, rasti i biznesmenit ukrainas Oleksandr Onishçenko, të cilit më vonë iu hoq shtetësia, ngriti pyetje në lidhje me kontrollet e sigurisë. Onishçenko humbi pasaportën e tij maqedonase pasi doli informacioni se ai ishte kërkuar në Ukrainë që nga viti 2016 për dëmtimin e buxhetit të shtetit dhe se ishte gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së.
Sipas nenit 14 të Ligjit për Shtetësinë, shtetësia mund të revokohet nëse përcaktohet se “i huaji ka dhënë informacion të rremë ose të pasaktë gjatë dorëzimit të kërkesës, ose ka përdorur dokumente të rreme”.





