Kodi i ri supozohet se është një version i përmirësuar i Kodit të vitit 2018, i cili vendoste parime të përgjithshme, por nuk ofronte mjaftueshëm rregulla konkrete dhe mekanizma efektivë për zbatimin e tyre. Me këtë dokument vendosen piketat e standardeve të reja të sjelljes, avancimi i kulturës së dialogut parlamentar, respektit të ndërsjellë dhe sjelljes dinjitoze, parandalimin e konfliktit të interesit, korrupsionit dhe keqpërdorimit të funksionit, forcimin e transparencës dhe llogaridhënies…
Evis HALILI
Shkup, 8 qershor – Kodi i ri për sjelljen etike të deputetëve është gati. I hartuar jo për të kontrolluar punën e deputetëve, por për të vendosur standarde të reja në sjellje, rregulla të përbashkëta për t’iu përgjigjur sjelljeve të papranueshme, Kodi i ri supozohet se është një version i përmirësuar i Kodit të vitit 2018, i cili vendoste parime të përgjithshme, por nuk ofronte mjaftueshëm rregulla konkrete dhe mekanizma efektivë për zbatimin e tyre.
Kodi i ri përmban dispozita me të cilat rregullohet sjellja e deputetëve gjatë ushtrimit të funksionit, në seancat e Parlamentit dhe të trupave punues, në marrëdhëniet me të punësuarit në Shërbimin e Parlamentit, organet e administratës shtetërore, institucionet publike, organizatat ndërkombëtare, mediat dhe qytetarët. Me Kodin e ri përcaktohen parimet themelore etike mbi të cilat mbështetet ushtrimi i funksionit të deputetit – përkushtimi ndaj interesit publik dhe vlerave demokratike, objektiviteti dhe drejtësia, barazia, llogaridhënia dhe transparenca, respekti i ndërsjellë, integriteti, ekonomiciteti dhe efikasiteti, si dhe lidershipi.
“Gjatë fjalimit në seanca, deputeti/deputetja bën kujdes që të mos nxjerrë të dhëna dhe kualifikime nga jeta personale ose familjare e deputetëve dhe e bartësve të tjerë të funksionit publik me të cilat mund t’ua dëmtojë nderin dhe reputacionin dhe me këtë rast bën kujdes për mbajtjen e diskutimit të hapur… Nëpërmjet fjalimit të tij/saj, deputeti/deputetja mbështet dhe promovon lirinë e shprehjes, por bën kujdes që kjo të mos shkaktojë drejtpërdrejt ose tërthorazi urrejtje, intolerancë, mosdurim dhe/ose dhunë mbi baza personale, ideologjike, fetare, nacionale, etnike, gjinore ose racore, as nuk e keqpërdor në çfarëdo mënyre tjetër të drejtën e fjalës”, thuhet në nenin 12. Në Kod theksohet mënyra racionale dhe ekonomike e mjeteve financiare, si në udhëtimet për qëllime private ose partiake që nuk duhet të përdorë dhe keqpërdorojë mjetet publike. Sa i takon rasteve te konfliktit të interesit deputeti/deputetja duhet të përmbahet, për arsye morale, nga pjesëmarrja në debat dhe vendimmarrje, ose në zgjedhjen, emërimin dhe shkarkimin e bartësve të funksioneve publike. Kodi thekson se nuk duhet ta keqpërdorë funksionin për interesa personale, familjare, fetare, politike dhe etnike.
“Qëllimi themelor i Kodit është të vendosë një kornizë moderne dhe gjithëpërfshirëse për sjelljen etike të deputetëve, përmes përcaktimit të parimeve dhe standardeve që do të kontribuojnë për forcimin e integritetit, përgjegjësisë dhe profesionalizmit në ushtrimin e funksionit të deputetit, avancimin e kulturës së dialogut parlamentar, respektit të ndërsjellë dhe sjelljes dinjitoze, parandalimin e konfliktit të interesit, korrupsionit dhe keqpërdorimit të funksionit, forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në punën e deputetëve dhe sigurimin e një niveli më të lartë të besimit të qytetarëve në punën e Parlamentit”, thuhet në dokument.
Gjatë përgatitjes së tekstit janë marrë parasysh edhe rekomandimet e GRECO-s (Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit) pranë Këshillit të Evropës, mendimet dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, si dhe standardet bashkëkohore evropiane në fushën e etikës parlamentare, integritetit dhe parandalimit të korrupsionit. (koha.mk)





