Me biçikleta rreth Liqenit të Ohrit u përmbyllën aktivitetet e BE-së për Ditën e Europës 2026

Struga ishte nikoqire e ngjarjes përmbyllëse të programit për Ditën e Europës 2026, e cila mblodhi qindra qytetarë, çiklistë, diplomatë dhe organizata nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Aktiviteti kryesor ishte turi ndërkufitar me biçikleta në relacionin Strugë–Pogradec–Ohër–Strugë, përmes të cilit u promovuan mobiliteti i qëndrueshëm, stili aktiv i jetesës dhe bashkëpunimi rajonal.

Paralelisht, Parku i Poezisë në Strugë u shndërrua në një qendër argëtimi me aktivitete për fëmijë, punëtori kreative, muzikë, bazar të bizneseve lokale dhe performanca artistike.

Në ngjarje morën pjesë përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Europian, ambasadave të vendeve anëtare të BE-së, si dhe autoritete lokale nga Struga, Ohri dhe Pogradeci.

Zëvendësshefi i Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, Ben Nupnau, theksoi se turi me biçikleta simbolizon një Europë të hapur, gjithëpërfshirëse dhe të bashkuar, ndërsa kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, vlerësoi qytetin si shembull të bashkëjetesës dhe vlerave europiane.

Me këtë aktivitet u mbyll zyrtarisht programi i Ditës së Europës 2026, i cili gjatë muajve maj dhe qershor solli aktivitete kulturore, sportive dhe ekologjike në disa qytete të Maqedonisë së Veriut nën moton: “Europa jonë. Më të fortë së bashku.”

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit