Deputeti i LSDM-së: “Me inflacion prej 5,7% standardi i jetesës po bie”

Rritja e Bruto Prodhimit të Brendshëm prej 3,1 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, inflacioni dhe standardi i jetesës së qytetarëve janë temat që po përplasin pushtetin dhe opozitën. Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, deklaratën e djeshme të kryeministrit Mickoski se jemi në pesë vendet e para në Evropë për rritje të BPV-së e quajti manipulim të ri. Ai thotë se me inflacion prej 5,7 për qind, standardi i jetesës së qytetarëve po bie.

“E njëjta raport tregon se konsumi final ka pjesëmarrje deri në 86,4% në BPV. Dhe ky është një parametër kyç i ekonomisë të cilin kryeministri dje e ka heshtur. Rritja kryesisht vjen nga konsumi, ndërsa konsumi rritet në kushte të çmimeve të larta, përkatësisht inflacioni. Kur qytetarët paguajnë më shumë për të njëjtat produkte, konsumi nominal rritet. Por kjo nuk do të thotë jetë më e mirë, kjo do të thotë jetë më e shtrenjtë. Nëse BPV rritet 3,1%, ndërsa inflacioni është 5,7%, atëherë çmimet rriten më shpejt se ekonomia”, u shpreh Fatmir Bytyqi, deputet nga LSDM.

Bytyqi i bën vërejtje kryeministrit edhe se nga “ekonomia e tretë me rritjen më të shpejtë në Evropë”, e ka ulur ambicien në “pesë vendet e para në Evropë sipas rritjes së BPV-së”. Ai thotë se bëhet fjalë për qëllim politik, që nga një numër statistikor të bëhet një “përrallë ekonomike”, ndërsa qytetarët jetojnë në “makth”. Kryeministri dje përmes një prezantimi video në Qeveri publikoi se sipas Eurostat, Maqedonia është ndër pesë vendet e para në Evropë sipas rritjes së bruto-prodhimit të brendshëm.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit