Costa në Shkup, Mickoski i prerë: Me VMRO-në, kjo punë nuk bëhet!

“Është e padrejtë dhe joserioze të pritet se do të vijë një politikan i lartë evropian dhe ne papritmas do ta ndryshojmë pozicionin”, tha kryeministri Hristijan Mickoski duke iu përgjigjur një pyetjeje gazetareske se çfarë pret nga takimi në Shkup me kryetarin e Këshillit Evropian, António Costa

Vizita e kryetarit të Këshillit Evropian, António Costa, në Shkup ka rikthyer në vëmendje çështjen më delikate të rrugëtimit evropian të Maqedonisë së Veriut: ndryshimet kushtetuese dhe kushtëzimet nga ana bullgare. Në qëndrimet e tij të fundit publike, kryeministri Hristijan Mickoski ka qenë i prerë se, si kryetar i qeverisë, nuk do të mbështesë një aventurë pa fund të sigurt, përkatësisht nuk do të bëjë asnjë zhvendosje derisa të marrë garanci se në të ardhmen nuk do të ketë kushtëzime të reja nga Sofja.

 

Qëndrimi i Qeverisë lidhur me ndryshimet kushtetuese, që janë kusht për vazhdimin e negociatave me BE-në, mbetet i pandryshuar, ka theksuar vazhdimisht kreu i ekzekutivit. “Shumë herë e kemi dhënë qëndrimin për këtë çështje dhe qëndrimi ynë është i pandryshueshëm. Unë nuk kam ndërmend, si kryetar i qeverisë, të mbështes një aventurë pa fund të sigurt. Po tregojmë se jemi konkurrues, duam ta përshkojmë procesin shpejt, por nuk duam një fund të shpejtë e të pasigurt, nuk hyjmë në një aventurë të tillë”, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski, i cili tha se për tri dekada e gjysmë vendi është dëshmitarë i aventurave dhe gjimnastikave politike, ndërkohë që po qëndron në të njëjtin vend, sa i përket procesit euro-integrues.

 

“Duhet të dihet, pa VMRO-DPMNE-në kjo punë nuk bëhet. Analfabetë politikë në baza ditore artikulojnë tema dhe mendojnë se do të fitojnë diçka, por vetëm humbasin dhe i dëmtojnë pozicionet e Qeverisë. Edhe unë sikur të isha nga ana e qeverisë bullgare, do të rrija i qetë dhe do të prisja, kur shoh se dikush nga pala e kundërt i dëmton pozicionet nga brenda”, ka deklaruar Mickoski. Sipas tij, procesi është rrugë me dy kahe dhe është e nevojshme të ndërtohet besimi i ndërsjellë mes palëve para se të nisin bisedimet.

 

“Ajo që kemi përpara është e qartë. Qeveria e kaluar ka pranuar Propozimin francez, protokollin e parë, protokollin e dytë. Le të shohim çfarë ka përpara qeveria bullgare, e ato janë aktgjykimet e Strasburgut që nuk po i zbaton. Procesi është rrugë me dy kahe; për të ndërtuar besim, duhet të ketë dorëzim edhe nga ana tjetër. Nëse të gjithë politikanët evropianë janë njëzëri se nuk do të ketë kushtëzime shtesë, le të bëjmë konkluzione të reja ku këtë do ta vendosim dhe kështu do të vërtetohet mbështetja dhe besimi. Le t’i përkushtohemi dorëzimit të agjendës reformuese”, ka thënë kryeministri.

 

Lidhur me mundësinë e ndonjë takimi trilateral me përfaqësuesit e BE-së dhe Bullgarisë, Mickoski është shprehur i hapur, por me rezerva për paqartësitë e formatit. “Na jepni një ditë paraprakisht dhe do të arrijmë atje ku duhet. Ne nuk dimë me kë të bisedojmë. Njëherë Sofja thotë ky është problem mes BE-së dhe Maqedonisë. Shkojmë në Bruksel, e pastaj thonë si po bisedoni pa ne. Duam të bisedojmë, jemi seriozë, por duhet të na thonë një ditë paraprakisht ejani atje dhe do të shkojmë. Jemi të vetëdijshëm se Bullgaria po përballet me ristrukturim të brendshëm pas zgjedhjeve, me inflacion të lartë. Të gjitha këto krijojnë mosbesim, probleme të brendshme. Jemi të gatshëm mbi baza fqinjësore të mira të ndihmojmë, mbetemi të përkushtuar ndaj këtij procesi dhe do të jemi konstruktivë”, ka theksuar ai.

 

Ndërkohë, opozita e ka shfrytëzuar këtë moment për t’i bërë presion qeverisë mbi mospërmbushjen e agjendës reformuese. Nga LSDM-ja akuzojnë kryeministrin se nuk i ka realizuar premtimet e dhëna publikisht, duke pretenduar se vetëm dy nga dhjetë ligjet kyçe të parapara janë miratuar. “U konfirmua edhe një gënjeshtër e madhe e Hristijan Mickoskit, agjenda reformuese nuk është përmbushur, ndonëse premtoi para opinionit publik se deri më 1 qershor do t’i përmbushte të gjitha obligimet. Mickoski erdhi në pushtet me gënjeshtra dhe vazhdon të qeverisë me gënjeshtra”, thuhet në komunikatën e socialdemokratëve.

 

Sipas LSDM-së, kreu i qeverisë i ka mashtruar qytetarët për një varg çështjesh, duke nisur nga emri, premtimi për shfuqizimin e Marrëveshjes së Prespës, sigurimin e një pozicioni më të mirë negociues me Bashkimin Evropian, e deri te pretendimet se gjuha dhe identiteti maqedonas ishin të rrezikuar, si dhe premtimet për prosperitet ekonomik, standard më të mirë jetese dhe investime të huaja më të mëdha. “Megjithëse mori kohë shtesë për përmbushjen e obligimeve, nuk arriti të realizojë as një pjesë të vogël. Nga 10 ligje kyçe të parapara në Agjendën reformuese janë miratuar vetëm 2, që do të thotë një përqindje realizimi prej mezi 20 për qind. Kjo është një vonesë e vetëdijshme dhe sistematike”, theksohet në reagim.

 

LSDM-ja pretendon se Mickoski nuk i zbaton reformat sepse nuk dëshiron t’i përmbushë ato, pasi, sipas tyre, reformat nënkuptojnë sundim të së drejtës, institucione të pavarura, luftë të fortë kundër korrupsionit dhe rregulla evropiane që nuk lejojnë keqpërdorimin e parave publike përmes tenderëve kriminalë. “Kjo do të thoshte fund i mbrojtjes së tij kriminale dhe përgjegjësi për të gjitha aferat, borxhet dhe tenderët. Prandaj Maqedonia qëndron në vend, ndërsa Mali i Zi dhe Shqipëria po përparojnë drejt Bashkimit Evropian. Mjaft me gënjeshtra. Reforma tani. Evropa tani, përfundon”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.

 

Vizita e Costa-s në Shkup është pjesë e turneut të tij në Ballkanin Perëndimor, ku po takohet me liderët e rajonit dhe ku do të bashkëkryesojë samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat të Malit të Zi, më 5 qershor. Në bisedat me liderët rajonalë, kreu i Këshillit Evropian pritet të prekë mundësitë dhe sfidat rreth zgjerimit, integrimit gradual, bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe stabilitetit. (koha.mk)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit