Besar Durmishi: Mbi 40 milionë euro për punësim, grante për të rinjtë dhe mbështetje shtesë për mërgatën

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, njoftoi se Qeveria ka miratuar Planin Operativ për Programet dhe Masat Aktive të Punësimit për vitin 2026, me një buxhet prej mbi 40 milionë eurosh dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për më shumë se 5.000 qytetarë përcjell ora 24.tv

Sipas Durmishit, plani paraqet një nga paketat më të rëndësishme ekonomike dhe sociale, me fokus te të rinjtë, personat e papunë afatgjatë, personat me aftësi të kufizuara, gratë dhe kategoritë e tjera të cenueshme.

“Qëllimi ynë është që askush të mos mbetet i lënë pas dhe secili që dëshiron të punojë të ketë një mundësi reale për punësim”, theksoi ministri.

Ai bëri të ditur se përmes masës së vetëpunësimit, të rinjtë do të mund të përfitojnë grante deri në 615.000 denarë për hapjen e biznesit të tyre, ndërsa qytetarët e mërgatës që kthehen në vend do të përfitojnë 10 për qind mbështetje shtesë.

Durmishi nënvizoi se kompanitë që do të hapin vende të reja pune do të mund të përfitojnë mbështetje financiare deri në 1.025.000 denarë, me fokus të veçantë te ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.

Plani Operativ përfshin gjithashtu praktikë profesionale, trajnime për profesione deficitare, rikualifikime dhe kualifikime profesionale sipas nevojave të tregut të punës.
Ministri rikujtoi se vazhdon edhe masa për shtesën rinore prej 3.000 denarësh për të rinjtë deri në moshën 23-vjeçare të punësuar në sektorin e prodhimit, si mbështetje shtesë krahas pagës së tyre.

“Vazhdojmë me politika konkrete që nxisin rritjen ekonomike, punësimin dhe një standard më të mirë jetese për qytetarët”, deklaroi Durmishi.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit