Artikujt ushqimore pësuan rritje të ndjeshme të importeve për 4-mujorin e parë të vitit 2026, duke përfshirë edhe ato mallra që Shqipëria ka të gjitha kapacitetet dhe kushtet klimatike t’i prodhojë vetë.
Sipas dhënave zyrtare nga INSTAT sasia e përgjithshme e importeve të ushqimeve shënoi rritje me 16.1% në janar -prill 2026 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Shqetësimi më i madh lidhet me faktin se po dështojmë të plotësojmë nevojat tona me prodhim vendas për produktet bazë të shportës dhe bujqësisë, në një kohë që rritja e numrit të turistëve duhet të ishte një mundësi e madhe për nxitjen e prodhimit vendas.
Konkretisht, importi i zarzavateve ka pësuar rritje prej 14.0%, e ndjekur nga frutat dhe arrat e ngrënshme të cilat kanë shënuar një rritje prej 11.0%. Po ashtu, një rritje prej 10.0% është regjistruar edhe në importin e produkteve te bulmetit, vezëve dhe mjaltit.
Ky trend tregon se në vend që të konsumojmë prodhimet e freskëta të fermerëve shqiptarë, paratë e konsumatorëve vendas po shkojnë për të financuar bujqësinë e vendeve të tjera, duke zhvlerësuar potencialin prodhues të vendit.





