Përdorimi i masave të posaçme hetimore, si përgjimet telefonike, ndjekja e personave dhe incizimet e fshehta, është rritur ndjeshëm gjatë vitit 2025.
Sipas raportit më të ri të prokurorit publik Nenad Saveski, prokurorët publikë kanë urdhëruar zbatimin e këtyre masave në 44 raste të reja hetimore, ndërsa ato janë vazhduar edhe në katër raste të nisura gjatë vitit paraprak.
Raporti tregon se bëhet fjalë për një rritje prej më shumë se 25 për qind krahasuar me vitin 2024, kur masa të tilla janë përdorur në 35 raste. Megjithatë, numri mbetet më i ulët se në vitin 2023, kur ishin regjistruar 87 raste.
Nga 44 rastet e reja, në dy prej tyre iniciues ka qenë vetë Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ndërsa në rastet e tjera propozimet janë dorëzuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Masat e posaçme hetimore janë zbatuar ndaj gjithsej 365 personave, përfshirë tre persona me identitet të panjohur, në kuadër të 56 lëndëve penale. Sipas raportit, në shumicën e rasteve janë arritur rezultatet e pritura, ndërsa suksesi i këtyre masave vlerësohet përmes hapjes së hetimeve, ngritjes së aktakuzave dhe sigurimit të vendimeve dënuese.
Masa më e përdorur ka qenë ndjekja dhe incizimi i personave jashtë banesës, e aplikuar në 33 raste ndaj 107 personave. Këto masa janë përdorur kryesisht për zbulimin e veprave si vrasjet, trafiku i drogës, pastrimi i parave, ryshfeti, terrorizmi dhe trafikimi i njerëzve.
Përgjimi i komunikimeve telefonike dhe elektronike është urdhëruar në 28 raste, duke përfshirë 140 persona. Në disa raste, përgjimet kanë zgjatur deri në tetë muaj. Këto masa janë përdorur për hetimin e veprave penale si vrasje, trafik droge, pastrim parash, keqpërdorim të detyrës zyrtare, kontrabandë migrantësh dhe trafikim njerëzor.





