Droga mes nxënësve, shkollat në Pollog pa psikologë e sociologë: Institucionet fajësojnë njëra-tjetrën

Mungesa e sociologëve, psikologëve dhe stafit tjetër profesional vazhdon të mbetet problem i pazgjidhur me vite për shkollat e mesme në Tetovë dhe Gostivar. Derisa përdorimi i lëndëve narkotike mes të rinjve lulëzon dhe ekspertët vazhdimisht theksojnë nevojën dhe rolin të tyre në shkolla, autoritetet komunale vazhdojnë të ankohen se Ministria e Arsimit nuk miraton punësime, kurse kjo e fundit arsyetohet dhe ‘fajin’ ua hedh komunave, shkruan Portalb.mk.

Në shkollat e mesme në Pollog mungojnë kuadro të ndryshëm të stafit profesionist si psikologë, sociologë, defektologë, pedagogë dhe të tjerë.

Derisa të dhënat zyrtare tregojnë për prani dhe përdornim të lëndëve narkotike nga të rinjtë në moshë të nxënësve të shkollave të mesme, shërbimet profesionale në shkolla të cilët duhet të merren me këshillim të nxënësve, shpesh mungojnë.

Shërbimet profesionale të shkollave, si psikologu, pedagogu, punëtori social sipas ekspertëve luajnë rol thelbësor në identifikimin dhe adresimin e hershëm të problemeve emocionale dhe sociale të nxënësve, duke ndihmuar në reduktimin e sjelljeve devijante dhe negative të fëmijëve.

Si qëndron situata në Tetovë?

Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk bëjnë të ditur se stafi profesional për të cilin kanë nevojë shkollat e mesme në Komunën e Tetovës është si vijon: SHMK ‘Kiril Pejçinoviq’ – defektolog, SHMK ‘8 Shtatori’ – psikolog dhe sociolog, SHMPK ‘Hjoce Stojçeski’ – defektolog, SHMK ‘7 Marsi’ – defektolog dhe sociolog, SHMKM ‘Nikolla Shtenj’ – psilkolog, sociolog dhe pedagog.

Nga aty bëjnë të ditur se si institucion kanë angazhuar kuadër profesional në SHMEK ‘8 Shtatori’ dhe SHMKM ‘Nikolla Shtenj’.

“Komuna e Tetovës ka kërkuar punësime nga Ministria e Arsimit por ende nuk kemi përgjigje konkrete”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Nga aty shtojnë se komuna angazhon defektolog në rast ku në atë shkollë regjistrohen fëmijë me aftësi të veçanta.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit