I verbuar nga dëshira për të ardhur në pushtet, Venko Filipçe është shndërruar në një emisar special bullgar dhe i vetmi që beson se ndryshimet kushtetuese janë pengesa e fundit dhe e vetme në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Përkundër mesazheve nga Sofja zyrtare se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë është kërkesa e fundit – gjë që e besojnë vetëm LSDM-ja dhe Filipçe – presidenti bullgar Rumen Radev ka deklaruar publikisht se revolucionarët maqedonas si Goce Dellçevi dhe Jane Sandanski janë bullgarë.
Radev shkon edhe më tej duke thënë se figura si vëllezërit Miladinov, themeluesit e shkrimit sllav, shenjtorët Kirili dhe Metodi, si dhe Klimenti dhe Naumi i Ohrit, janë bullgarë dhe pjesë e historisë bullgare.
Presidenti bullgar, ish-kryeministri Rumen Radev, mohon edhe gjuhën maqedonase, duke pretenduar se ajo rrjedh nga bullgarishtja dhe ekziston vetëm që nga viti 1945.
Kjo nuk është e gjitha. Radev e konteston dhe e mohon edhe identitetin maqedonas, për të cilin gjithashtu thotë se ekziston vetëm që nga viti 1945 dhe se para kësaj maqedonasit kanë qenë bullgarë. Në çdo paraqitje publike para një audience të gjerë, Rumen Radev nuk përmbahet nga paraqitja e historisë së lavdishme maqedonase si histori bullgare.
Edhe më tragjike është fakti se nga tradhtarët e brendshëm – LSDM-ja, Zoran Zaevi dhe Venko Filipçe – nuk ka asnjë reagim apo dënim për deklarata të tilla, për mohimet publike, kontestimet dhe përvetësimet e simboleve kombëtare maqedonase, heronjve, figurave fetare, historisë dhe kulturës maqedonase. Madje, të gjitha këto kanë ndodhur edhe gjatë periudhës kur ata ishin në pushtet në Maqedoni.
LSDM-ja dhe Venko Filipçe heshtin përballë këtyre mohimeve, por janë më të zëshmit kur bëhet fjalë për pranimin e ultimatumeve bullgare. Filipçe është shndërruar në një pion të Radevit, të cilit nuk guxon t’i kundërvihet, dhe në një emisar special për zbatimin e agjendës bullgare.
Është shumë e qartë se përfshirja e disa mijëra bullgarëve në Kushtetutë nuk është as kushti i vetëm dhe as i fundit për procesin eurointegrues. Bullgaria ka kërkesa më të gjera ndaj Maqedonisë, të cilat prekin drejtpërdrejt identitetin maqedonas, historinë dhe trashëgiminë kulturore.
Nga ana tjetër, po bëhet gjithnjë e më e dukshme se Filipçe, ashtu si Zaevi, për pushtet dhe për amnisti të krimeve, është i gatshëm për tradhti të reja kombëtare. Qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë lëshimesh identitare dhe kombëtare do të pasonin nëse LSDM-ja dhe Venko Filipçe do të riktheheshin në pozita shtetërore dhe do të vendosnin përsëri për çështjet e shtetit.
Qytetarëve maqedonas u ka ardhur në majë të hundës nga lëshimet dhe ultimatumet. Ata kundërshtojnë ashpër politikën nënshtruese të LSDM-së dhe Filipçes, të cilët e çuan partinë në pozitën e forcës së tretë politike, me mezi 130 mijë vota.
VMRO-DPMNE vlerëson se interesat kombëtare maqedonase, dinjiteti i shtetit dhe e vërteta historike nuk duhet të jenë objekt marrëveshjesh politike dhe pazari për pushtet, dhe qëndron fuqishëm pas këtij qëndrimi, të cilin qytetarët e njohin dhe e mbështesin.





