Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, ka uruar besimtarët islamë me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke u dëshiruar paqe, gëzim dhe mirëqenie familjare.
Në mesazhin e saj të urimit, ajo theksoi se në një kohë të mbushur me pasiguri, mosbesim dhe ndarje shoqërore, festat e mëdha fetare kanë rëndësi të veçantë shpirtërore dhe shoqërore.
Siljanovska-Davkova vlerësoi se Kurban Bajrami, përmes simbolikës së dhurimit dhe sakrificës, promovon vlera si humanizmi, empatia, solidariteti dhe përgjegjësia ndaj të tjerëve. Sipas saj, aftësia për të ruajtur dashurinë dhe kujdesin për të afërmin, edhe në kohë sfidash dhe dallimesh, është tregues i integrimit dhe pjekurisë së shoqërisë.
Presidentja shtoi se vetëm përmes mirëkuptimit, respektit të ndërsjellë dhe kulturës së respektit, dallimet mund të shndërrohen në urë bashkimi dhe jo në pengesë, duke kontribuar në forcimin e unitetit në shoqëri.





