Bekim Sali, Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut,ka deklaruar se Qeveria ka mbështetur iniciativën e studentëve lidhur me mundësinë që provimet përfundimtare dhe provimet shtetërore të zhvillohen në gjuhën në të cilën ata kanë studiuar.
Ai theksoi se kjo është një e drejtë e studentëve dhe se çështja po trajtohet në mënyrë institucionale, përmes konsultimeve me ekspertë dhe jo vetëm përmes vendimeve politike.
Sipas tij, ekzekutivi ka qenë i përfshirë në mënyrë aktive në këtë proces dhe ka zhvilluar takime me studentët që para rreth tre muajsh, duke i kushtuar vëmendje të veçantë gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme.
Bekim Sali shtoi se procesi është në fazën përfundimtare të konsultimeve dhe se shumë shpejt, ndoshta brenda javës, pritet të merret vendimi final, i cili më pas do të prezantohet publikisht.
Ai theksoi se qëllimi është zgjidhja e një problemi që ka mbetur i hapur për një periudhë të gjatë dhe që lidhet me disa fusha, përfshirë edhe jurisprudencën, me synim që studentët të mos përballen me pasiguri institucionale dhe trajtim të pabarabartë.





