Elon Musku ka humbur edhe një betejë tjetër ligjore, pas vendimit të së hënës në padinë e tij kundër OpenAI dhe bashkëthemeluesit të saj, Sam Altman.
Kjo humbje është pjesë e një serie disfatash dhe marrëveshjesh gjyqësore që kanë shënuar kohët e fundit për sipërmarrësin më të pasur në botë, raportoi BBC-ja.
Më parë, Musku pati arritur një marrëveshje me ish-zyrtarë të Tëitterit dhe mijëra punonjës të platformës, të cilën më pas e riemërtoi “X”, pas një procesi disavjeçar lidhur me pagesat e tyre.
Në mars, ai humbi një rast të ngritur nga investitorët e Tëitterit, të cilët pretendonin se ishin mashtruar nga deklaratat e tij publike gjatë procesit të blerjes së kompanisë. Po në të njëjtin muaj, një gjykatë rrëzoi edhe padinë e tij ndaj reklamuesve që kishin vendosur të largoheshin nga platforma.
Pas humbjes më të fundit ndaj OpenAI-it, ekspertët e ligjit pyesin nëse Musk mund të bëhet më i kujdesshëm në përplasjet e tij gjyqësore. Megjithatë, sipas tyre, ndikimi i këtyre humbjeve mund të mos jetë i mjaftueshëm për ta ndryshuar qasjen e tij.
“Nuk ka njeri të paprekshëm,” ka thënë Shubha Ghosh, profesor i së drejtës në Universitetin Syracuse, duke shtuar se Musku mbetet biznesmen që ushtron të drejtën e tij përmes gjykatave, edhe pse nuk është e sigurt sa efektiv është në këtë qasje.
Sipas ekspertëve të tjerë, pasuria e tij e jashtëzakonshme e bën të vështirë që gjobat apo humbjet financiare të ndikojnë në vendimin e tij për të vazhduar betejat ligjore.
“Unë nuk shoh që ai të ndalet. Duket se askush nuk ka arritur të vendosë pasoja reale mbi të apo veprimet e tij”, ka thënë Dorothy Lund, profesoreshë në “Columbia Law School”.
Ajo ka kujtuar edhe gjobën prej 1.5 milion dollarësh nga Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë (SEC) për mosdeklarimin e blerjes së aksioneve të Twitter, duke theksuar se për Muskun këto masa janë të papërfillshme.
Sipas Lundit, Musku vepron pa u frikësuar nga pasojat:
“Ai bën atë që dëshiron dhe shpesh merr vetëm një paralajmërim të lehtë, prandaj pse të ndryshojë”, ka shtuar ajo.
Pas humbjes në rastin e OpenAI-it, Musku ka kritikuar vendimin në rrjetin e tij social X. Ai gjithashtu e ka quajtur gjyqtarin “aktivist të tmerrshëm” dhe ka paralajmëruar apelim të vendimit.





