Në një intervistë për EuroNews Albania, bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka deklaruar se çështja e provimeve profesionale dhe licencimit në gjuhën shqipe është duke u zgjidhur në mënyrë institucionale.
Sipas tij, studentët dhe të rinjtë sot nuk po protestojnë për një të drejtë të privuar aktualisht, por për pasoja të politikave të mëhershme që kanë lënë boshllëqe në këtë fushë.
Mexhiti theksoi se deri tani janë realizuar hapa konkretë për licencimin e mjekëve, stomatologëve dhe edukatorëve në çerdhe dhe institucione parashkollore, duke mundësuar që për herë të parë provimet profesionale të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe në nivel republikan.
“Studentët sot nuk protestojnë për një të drejtë të privuar, kjo është pasojë e politikave gjysmake që kanë mbetur nga e kaluara. Deri tani kemi zgjidhur çështjen e licencave për mjekët, stomatologët dhe edukatorët, dhe për herë të parë provimet profesionale po zhvillohen në gjuhën shqipe,” u shpreh Mexhiti.
Ai shtoi se në një takim me kryeministrin Hristijan Mickoski është arritur dakordim që të rinjtë që kanë ndjekur arsimin në gjuhën shqipe, provimet profesionale dhe licencat t’i marrin në gjuhën e tyre.
Sipas tij, ky është një hap i rëndësishëm institucional në drejtim të barazisë gjuhësore në proceset e licencimit profesional.





