Kreu i Lëvizja Arbëria, Bekim Fazliu, ka reaguar ashpër ndaj, siç e quan ai, politizimit të protestës së studentëve nga BDI lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Fazliu vlerëson se është hipokrizi që ish-funksionarë dhe ministra të BDI-së protestojnë sot për një problem që nuk e kanë zgjidhur për më shumë se dy dekada sa kanë qenë pjesë e pushtetit.
“Do të ishte turp të jem në protestë në një krah me ministrin që nuk ua ka zgjedh çështjen e provimit të jurisprudencës studentëve dhe që i politizon. Pesë ministra shqiptarë vetëm këtë periudhë, se tetë kanë qenë prej vitit 2002 dhe nuk e kanë zgjedh këtë problem dhe ç’është më e keqja del proteston, po pse nuk e ka zgjedh ai vet? Kjo është hipokrizi, ata e delegjitimojnë edhe protestën e studentëve”, deklaroi Fazliu.
Sipas tij, përfshirja e ish-zyrtarëve që për vite kanë qenë në pushtet e dëmton vetë kauzën e studentëve dhe e shndërron protestën në instrument politik.
Fazliu thekson se çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet arsimore dhe profesionale është dashur të zgjidhet shumë më herët, ndërsa sot, sipas tij, po tentohet të manipulohet opinioni publik duke paraqitur situatën sikur problemi është krijuar tani.





