“Barazia nuk negociohet”, mesazhi i Organizatës Shqiptaro-Amerikane për studentët

Organizata Shqiptaro-Amerikane për Maqedoninë e Veriut ka dalë në mbështetje të protestës së paralajmëruar të studentëve shqiptarë më 18 maj në Shkup, duke e cilësuar kërkesën për përdorimin e gjuhës shqipe si të drejtë legjitime, qytetare dhe morale.

Përmes një reagimi publik, organizata thekson se kërkesa për zbatimin e të drejtave që burojnë nga ligji dhe Kushtetuta nuk mund të mohohet, pasi ato lidhen me identitetin dhe ekzistencën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Mosrespektimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nuk është thjesht një shkelje administrative, por shkelje ligjore që duhet të ndëshkohet”, thuhet në reagim.
Nga organizata shprehin shqetësim të veçantë për faktin se, sipas tyre, shkeljet po kryhen edhe nga përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, duke përfshirë ministra dhe kryeministrin.

Organizata Shqiptaro-Amerikane për Maqedoninë e Veriut u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë dhe gjithë opinionit publik që beson në drejtësi dhe barazi t’i bashkohen protestës së studentëve dhe ta mbështesin atë fuqishëm.

Sipas tyre, vetëm përmes reagimit qytetar mund të ndalen shkeljet dhe të kërkohet përgjegjësi institucionale për moszbatimin e të drejtave gjuhësore.

Në reagim kërkohet edhe angazhim i menjëhershëm nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa thirrje të posaçme u drejtohen Shqipëria, Kosova dhe faktorëve ndërkombëtarë për ta mbështetur, siç thuhet, këtë kauzë legjitime dhe për të kontribuar në garantimin e të drejtave themelore.

“Barazia nuk negociohet. Ajo zbatohet”, përfundon reagimi i organizatës.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit