“Po preken fijet që e mbajnë shtetin bashkë”, Bujar Osmani i jep mbështetje protestës së studentëve

Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe njëherësh nënkryetar i Bashkimi Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, ka reaguar lidhur me debatet e fundit për gjuhën shqipe dhe protestat e studentëve shqiptarë, duke paralajmëruar se sulmet ndaj Marrëveshjes së Ohrit përbëjnë kërcënim për vetë arkitekturën e bashkëjetesës në Maqedoninë e Veriut.

Përmes një statusi publik, Osmani ka theksuar se jo çdo shtet ndërtohet vetëm mbi ligje, por edhe mbi dhimbje, kompromis dhe vendimin e popujve për të mos jetuar më në konflikt.

Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit nuk është thjesht një marrëveshje politike, por një marrëveshje paqeje me të cilën vendi zgjodhi bashkëjetesën në vend të urrejtjes dhe dialogun në vend të konfliktit.

Statusi i plotë i Bujar Osmanit:

Jo çdo shtet ndërtohet vetëm me ligje.
Disa shtete ndërtohen me dhimbje.
Me kompromis.
Me vendimin e popujve që të mos e jetojnë më frikën e konfliktit.

Marrëveshja e Ohrit nuk është vetëm marrëveshje politike.
Ajo është marrëveshje paqeje.
Marrëveshje me të cilën ky vend zgjodhi bashkëjetesën në vend të urrejtjes.
Dialogun në vend të istikameve.

Dhe pikërisht për këtë arsye, sulmi ndaj themeleve të Ohrit nuk është sulm ndaj një partie.
Nuk është vetëm sulm ndaj shqiptarëve.
Nuk është as vetëm sulm ndaj një ligji apo një neni të Kushtetutës.

Është sulm ndaj vetë arkitekturës së bashkëjetesës.

Shpesh harrojmë çfarë arriti në të vërtetë Marrëveshja e Ohrit.
Për herë të parë në Ballkan u krijua një model ku dallimet nuk u shtypën, por u organizuan në sistem.
Pa asimilim.
Pa dominim.
Por balancë.

Ballkani prodhoi dy modele pas konflikteve:
Dejtonin dhe Ohrin.

Njëri ngrinë ndarjet.
Tjetri ndërtoi bashkëjetesë funksionale.

Ohri nuk krijoi shtet perfekt.
Por krijoi shtet ku fëmijët filluan të rriten pa frikën se gjuha, emri apo përkatësia e tyre janë arsye për konflikt.

Prandaj kjo nuk është kohë për kalkulime partiake.
Kjo është kohë që shqiptarët dhe maqedonasit të ngrihen mbi dallimet politike dhe të kuptojnë një të vërtetë të thjeshtë:

Kur rrënohen shtyllat e besimit mes popujve, çmimin nuk e paguajnë politikanët.
E paguajnë gjeneratat.

Historia na ka mësuar se paqja nuk prishet menjëherë.
Fillimisht relativizohet.
Pastaj nënçmohet.
Pastaj sulmohet në emër të emocioneve ditore.
Dhe kur njerëzit e kuptojnë çfarë kanë humbur, zakonisht është vonë.

Prandaj protesta e studentëve nuk është vetëm protestë për gjuhën.
Nuk është vetëm për Kushtetutën.
Është alarm se po preken fijet më të ndjeshme që mbajnë këtë shtet bashkë.

Dhe ndoshta duhet ta themi hapur edhe para bashkësisë ndërkombëtare:

Është koha që bashkësia ndërkombëtare ta mbrojë investimin e saj më të suksesshëm në Ballkan.

Sepse Marrëveshja e Ohrit nuk shpëtoi vetëm një shtet.
Ajo u bë dëshmi se Ballkani mund të prodhojë model bashkëjetese dhe jo vetëm konflikte.

Të mbrosh Ohrin sot nuk është akt politik.
Është akt përgjegjësie historike.
#mestudentët

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit