VLEN vlerëson se reformat në arsimin e lartë po materializohen në praktikë, duke reflektuar kërkesat e komunitetit akademik dhe universiteteve shqiptare.
Në këtë kuadër, pjesëmarrja e Zëvendëskryeministrit të Parë, Bekim Sali, në panelin e organizuar në Universiteti Nënë Tereza për konsolidimin institucional dhe legjislacionin e arsimit të lartë, dëshmon përkushtimin për zbatimin konkret të reformave.
Fakti që sfidat ligjore të Universitetit Nënë Tereza, përfshirë edhe çështjet që lidhen me Statutin, tashmë janë tejkaluar, dëshmon se reformat nuk kanë mbetur vetëm në letër, por po zbatohet një model funksional që garanton stabilitet, cilësi dhe autonomi universitare.
VLEN thekson se arsimi i lartë mbetet prioritet, me fokus në përmirësimin e kushteve për studentët dhe stafin akademik, si dhe në ndërtimin e institucioneve të forta që i shërbejnë zhvillimit të vendit.
Reformat e ndërmarra sjellin ndryshime konkrete, përfshirë heqjen e H-indeksit si kriter bazë për vlerësimin e kuadrit akademik, garantimin e sigurisë në vendin e punës dhe krijimin e më shumë hapësirave për zhvillim profesional.
Në këtë qasje, studenti mbetet në qendër, ndërsa universiteti forcohet si themel i zhvillimit shoqëror dhe ekonomik.





