“Tentuan të na përçajnë” – Reagon ashpër Haqim Ramadani për listat e “tradhtarëve” në diasporë

“Tentuan të na përçajnë” – Deputeti Haqim Ramadani reagon për listat e “tradhtarëve” në diasporë
Deputeti Haqim Ramadani ka reaguar lidhur me publikimin e disa listave në diasporë, ku sipas tij janë linçuar persona që kanë kontribuar në fushatën zgjedhore.
Ramadani deklaroi se ishte prekur shumë gjatë vizitës së tij në diasporë, pasi kishte premtuar se do t’i vizitonte bashkëatdhetarët pa marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve.
Ai tha se në Leverkusen janë publikuar lista me emra të personave që janë cilësuar si “tradhtarë”, ndërsa sipas tij bëhej fjalë për njerëz që kishin dhënë kontribut të madh në procesin zgjedhor.
“Zgjedhjet nuk fitohen nga një kandidat i vetëm, por janë rezultat i një pune ekipore dhe një entuziazmi të madh”, u shpreh Ramadani.
Ai theksoi se nuk ka informacione se kush qëndron pas publikimit të këtyre listave, por shtoi se rastin e ka paraqitur edhe në organet e rendit, pasi sipas tij bëhet fjalë për linçim politik dhe përpjekje për të nxitur përçarje mes banorëve.
Ramadani ngriti dyshime se pas këtyre veprimeve mund të qëndrojnë qarqe që pengohen nga uniteti dhe bashkimi i shqiptarëve në Bërvenicë.
“Sot ekziston një unitet dhe bashkim që dikujt po i pengon. Ende po tentohet të krijohen fraksione dhe përçarje mes qytetarëve vetëm për ta prishur atë bashkim”, deklaroi deputeti Ramadani.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit