Kontesti pronësor i pazgjidhur me vite me radhë midis Bashkësisë Fetare Islame (BFI) dhe shtetit e ka lënë në harresë objektin e Kapan Hanit në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, pa mirëmbajtje dhe investime. Në ndërkohë, Komuna e Çairit edhe pse ka premtuar se do të investojë në këtë objekt, në terren nuk ka lëvizur asgjë, shkruan Portalb.mk
Foto nga Kapan Ani në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Foto: Portalb.mk
Foto nga Kapan Ani në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Foto: Portalb.mk
Çarshia e Vjetër e Shkupit si lokacion biznesi daton që nga shekulli XII. Me ardhjen e Perandorisë Osmane në Ballkan, u shndërrua në qendër kryesore të tregtisë së qytetit. Në të ndodheshin xhami, karvansaraje dhe hane.
Gjatë periudhave të ndryshme historike e njëjta u godit nga fatkeqësi natyrore dhe dy luftërat botërore, por me iniciativë të sipërmarrësve që kanë bizneset aty pranë, u rindërtua duke ruajtur autenticitetin, deri në ditët e sotme.
Më 13 tetor të vitit 2008 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u miratua ligj i posaçëm për Çarshinë e Vjetër të Shkupit, si trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë.





