Në kryeqytet po zhvillohet protesta e opozitës e thirrur nga Partia Demokratike para Kryeministrisë. Mbështetës të shumtë janë mbledhur në bulevard, ndërsa kreu i PD-së, Sali Berisha, mbërriti në selinë blu rreth orës 19:00 dhe iu bashkua marshimit të protestuesve.
Gjatë tubimit janë shënuar tensione mes protestuesve dhe forcave të policisë. Protestuesit marshuan drejt Ministrisë së Brendshme, ku pati hedhje molotovësh, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e turmës.
Përplasje verbale pati edhe mes deputetit Gazment Bardhi dhe efektivëve të policisë, teksa Bardhi akuzoi uniformat blu për provokim të protestës, duke theksuar se ajo ishte paqësore.
Policia e Tiranës ka marrë masa të shtuara sigurie dhe ka bllokuar disa akse rrugore për mbarëvajtjen e protestës dhe garantimin e rendit publik.





