S’ka kompensim për anulimet e fluturimeve nga mungesa e karburantit

Bashkimi Evropian ka përgatitur draft-udhëzime të reja lidhur me situatën e furnizimit me karburant për avionët, duke sjellë lajme jo të mira për pasagjerët.

Sipas dokumentit të Komisionit Evropian, kompanitë ajrore nuk do të jenë të detyruara të paguajnë kompensim shtesë në rast se fluturimet anulohen për shkak të mungesës së përkohshme të karburantit në aeroporte.

Brukseli e konsideron këtë situatë si “rrethanë të jashtëzakonshme”, çka përjashton pagesën standarde prej 250 deri në 600 euro për pasagjer.

Megjithatë, qytetarët do të kenë ende të drejtën për rimbursim të plotë të biletës ose për një fluturim alternativ.

Në dokument theksohet se aktualisht nuk ka krizë të përgjithshme të furnizimit me karburant në tregun evropian të aviacionit, por mungesa lokale mund të ndodhin në raste të caktuara.

Autoritetet evropiane paralajmërojnë se një përshkallëzim i konflikteve ndërkombëtare mund të shkaktojë probleme më serioze në zinxhirin e furnizimit.

Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me çmimet e biletave ajrore, pasi kompanive u ndalohet të rrisin retroaktivisht çmimet e biletave tashmë të blera, edhe pse kostoja e karburantit është rritur ndjeshëm.

Sipas Komisionit Evropian, çmimi i karburantit për avionë është pothuajse dyfishuar krahasuar me fundin e muajit shkurt.

Për paketat turistike, organizatorët mund të rrisin çmimin deri në 8%, por vetëm nëse klientët njoftohen të paktën 20 ditë para nisjes së udhëtimit.

Ndërkohë, BE ka konfirmuar se nuk ka ndryshime në rregullat për përdorimin e “slot-eve” aeroportuale dhe kompanitë ajrore duhet të vazhdojnë t’i përdorin ato në masën 80 për qind.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit