Mucunski: S’ka kushte për ndryshime kushtetuese!

“Në këtë moment nuk ka kushte për ndryshime kushtetuese dhe Qeveria nuk është e gatshme të ndërmarrë çfarëdo hapi drejt zbatimit të ndryshimeve kushtetuese”, thotë Ministri i Punëve të jashtme Timço Mucunski. Në kontekstin e marrëdhënieve me Bulgarinë, Mucunski deklaroi se vendi ynë gjithmonë ka qenë i gatshëm për dialog dhe mbetet i hapur për bashkëpunim edhe tani. Megjithatë, sipas tij, mungesa e vullnetit për një dialog të tillë ka ardhur nga Bulgaria fqinje, konkretisht nga njëra prej qeverive të mëparshme politike atje.

“Në këtë kontekst shteti ynë nuk është i gatshëm për ndryshime kushtetuese. Ekziston mungesë besimi dhe kredibiliteti në raport me përmbushjen e obligimeve ndaj nesh si shtet, kështu që në këtë moment nuk ka kushte për ndryshime kushtetuese dhe Qeveria nuk është e gatshme të ndërmarrë çfarëdo hapi drejt zbatimit të ndryshimeve kushtetuese”, tha Mucunski.

Përveç çështjes së ndryshimeve kushtetuese, Mucunski tha se Maqedonia e Veriut po ndërmerr masa konkrete lidhur me perspektivën e saj evropiane. Gjithashtu vlerësoi si arritje të rëndësishme mbylljen e dialogut post-monitorues nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, duke e cilësuar atë si njohje të progresit të vendit, por edhe si përgjegjësi shtesë për të vazhduar reformat dhe përkushtimin ndaj vlerave evropiane. Këto shefi i diplomacisë i tha gjatë konferencës së përbashkët me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, i cili ndodhet në vizitën e tij të parë zyrtare në vend. Berset foli për forcimin e stabilitetit dhe standardeve demokratike në rajon dhe në Evropë dhe jo vetëm.

“Siguria dhe stabiliteti demokratik në rajone të ndryshme të Evropës ecin krah për krah. Këtë e them sepse në këtë moment shoh domosdoshmërinë për të pasur një sistem të fortë mbrojtjeje, në një kohë kur në Evropë po ndodh riarmatim i sërishëm. Kjo është e nevojshme, por siguri do të kemi vetëm nëse kemi edhe institucione të forta që funksionojnë njëkohësisht dhe në bashkëpunim me njëra-tjetrën”, tha Berset.

Alain Berset gjithashtu theksoi se së shpejti do të ketë zgjidhje për vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut kundër Bulgarisë. Sipas tij është arritur një përparim i caktuar i vendit gjatë muajit të fundit, por nevojitet ende, pasi siç tha, duhet kohë për të përfunduar procesin. Theksoi gjithashtu se stabiliteti i procesit është shumë i rëndësishëm, pasi zgjidhjet duhet të jenë më shumë se vetëm simbolike, duke nënkuptuar nevojën për zbatim real dhe të qëndrueshëm.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit