Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, vlerëson se këtë vit nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme, duke theksuar se një proces i tillë sjell stagnim të funksionimit të institucioneve.
Në emisionin “n’Podium” në Ora24.tv, Sali deklaroi se periudha para dhe pas zgjedhjeve krijon një “boshllëk” në punën e shtetit.
“Bëhet fjalë për rreth gjashtë muaj stagnim në funksionimin e institucioneve. Edhe pse ato formalisht funksionojnë, pa ekzekutivin e angazhuar plotësisht krijohet një zbraztirë në proceset shtetërore”, tha Sali.
Ai theksoi se në mungesë të krizave dhe në një vit pa zgjedhje të planifikuara, fokusi duhet të jetë në punën për qytetarët, e jo në procese zgjedhore.
Megjithatë, Sali nënvizoi se si parti janë të gatshëm për zgjedhje në çdo kohë.
“Gjithmonë mund të ketë zgjedhje, por pyetja është a ka nevojë. Ne nuk i frikësohemi zgjedhjeve të parakohshme, por nuk i shohim si të nevojshme për momentin”, deklaroi ai.
Sali përmendi edhe rezultatet e zgjedhjeve të kaluara dhe udhëheqjen me nëntë komuna shqiptare, duke shtuar se kjo u jep siguri për një rezultat pozitiv në zgjedhjet e ardhshme parlamentare./Ora24.tv
https://www.facebook.com/reel/945525601734204





