Integrimi evropian mbetet prioritet strategjik i shtetit. Ambicia jonë është e qartë – anëtarësim i plotë në Bashkimin Evropian. Këtë e ka bërë të ditur zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali gjatë pjesëmarrjes në konferencën “30 Vite nga rruga evropiane: Maqedonia e Veriut- Bashkimi Evropian – hapat e ardhshme që u mbajt sot në organizim të Klubit diplomatik – Shkup dhe Fakultetit juridik pranë UKM-së.
Pas përfundimit të procesit të skriningut, Sali theksoi se fokusi është vendosur tek përshpejtimi i reformave.
“Tridhjetë vite partneritet dhe 25 vite nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dëshmojnë se rruga jonë evropiane është e qartë dhe e pakthyeshme. Sot, integrimi nuk është vetëm një qëllim – është proces i dorëzimit të rezultateve konkrete”, u shpreh Sali.
Ai shton se përmes Agjendës së reformave dhe Planit të rritjes, vendi tashmë po jep rezultate të matshme në fusha kyçe si sundimi i ligjit, administrata publike dhe qeverisja ekonomike.
Ministri theksoi mes tjerash se një proces i besueshëm zgjerimi kërkon përkushtim të dyanshëm – reforma reale nga vendet kandidate dhe parashikueshmëri nga Bashkimi Evropian (BE).





