Nikollë Radaci, 57-vjeçari që përplasi për vdekje dy të miturit në zonën e ish Kënetës në Durrës dhe plagosi një tjetër, ka pretenduar se një automjet i ka prerë rrugën në momentin kur ka ndodhur aksidenti i rëndë.
Në dëshminë e tij, ai ka theksuar se kishte dalë për të marrë një vegël pune të një mik i tij, por në rrugë, nga një rrugicë i kishte dalë një automjet dhe se për rrjedhojë ka devijuar për të shmangur përplasjen. Sipas tij, është ngjitur në trotuar në anën tjetër të rrugës ku edhe ka përplasur të vegjlit që po luanin, dy prej të cilëve iu shkaktoi vdekjen e menjëhershme.
“Unë po drejtoja automjetin në korsinë e djathtë, papritur nga një rrugicë lagjeje doli një automjet, unë devijova për të shmangur këtë automjet dhe kam përfunduar sipër trotuarit të anës së majtë të rrugës. Pasi hipa mbi trotuar, jam përfshirë në aksident me disa fëmijë që ndodheshin mbi trotuar. Automjeti që unë po drejtoja nuk ka arritur të ndalojë dhe kam shkuar disa metra më përpara. Unë dola nga makina dhe kam shkuar tek një dyqan aty pranë ku punonjësve të dyqanit ju kam thënë të njoftojnë policinë pasi kam bërë aksident. Unë kam qëndruar tek dyqani deri sa erdhi policia dhe më mori për në komisariat.”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai ka theksuar para oficerit të policisë gjyqësore se ka qenë me shpejtësi rreth 30 km/orë. Kur është pyetur se ka rezultuar në gjendje të dehur në momentin e aksidentit, ai ka pretenduar se ka konsumuar vetëm një birrë në mëngjes.
Dëshmia e tij:
Pyetje: Ju pretendoni që një automjet ju ka ndërprerë rrugën, a ju kujtohet ndonjë detaj në lidhje me këtë automjet?
Përgjigje: Për momentin nuk më kujtohet asnjë detaj.
Pyetje: A njihni fëmijët me të cilët jeni përfshirë në aksident?
Përgjigje: Jo nuk i njoh.
Pyetje: Me çfarë shpejtësie keni qenë në momentin e aksidentit?
Përgjigje: Unë kam qenë me rreth 30 km/h.
Pyetje: Në zbatim të procedurës standarte ju është bërë testi i alkoolit, i cili ka rezultuar në masën 0.73 mg/l testi i parë dhe 0.70 mg/l testi i dytë. A keni konsumuar alkool përpara se të drejtonit automjetin?
Përgjigje: Përpara se të drejtoja automjetin unë kam pirë një birrë në mëngjes.
Pyetje: A keni gjë tjetër për të shtuar?
Përgjigje: Gjë tjetër nuk kam për të shtuar, sa më sipër janë thëniet e mia të cilat pasi i gjeta të shkruajtura drejt, i firmos pa vërejtje.





