Rriten çmimet e karburanteve — benzinat për 2.5 denarë për litër, dizeli për dy. Me këtë, nga mesnata çmimi i benzinit BS-95 do të jetë 85 denarë për litër, 98-ja do të kushtojë 87 denarë, ndërsa një litër dizel 93.5 denarë. Por në pompat e benzinit, për shkak të zbritjes së OKTA-s, benzinat do të shiten për dy denarë më lirë, ndërsa dizeli për tre denarë.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se nuk planifikohen masa të reja për uljen e çmimeve të karburanteve, dhe mbetet në fuqi vendimi për TVSH prej 10% për benzinën dhe 18% për dizelin, si dhe akciza e reduktuar prej dy denarësh për benzinat dhe katër denarësh për dizelin.
Qeveria dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut dyshojnë se zbritja prej dy denarësh për litër benzin dhe tre denarësh për litër dizel që e jep OKTA po keqpërdoret. Sipas Mickoskit, ekzistojnë indikacione se kompani me licencë për tregti me shumicë të këtyre derivateve e përdorin zbritjen për rieksport jashtë vendit. Sipas kryeministrit, momentalisht po kryhen verifikime nëse vërtet ekziston keqpërdorim.
“Natyrisht, në varësi të atyre verifikimeve, ashtu edhe si Qeveri do të reagojmë. Verifikimet ende janë në rrjedhë. Për sa kompani keni indikacione se eksportojnë? Për të paktën një”, tha Mickoski.
Sipas Inspektoratit Shtetëror të Tregut, me disa ekipe, deri të premten do të kryhen kontrolle tek të gjitha 10 kompanitë me licencë për tregti me shumicë të benzinës dhe dizelit. Inspektorati do të konstatojë nëse ka shkelje, respektivisht praktikë të pandershme tregtare dhe mospërsëritje të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve nga ndonjë nga kompanitë. Për këtë qëllim, nga drejtoria Doganore janë kërkuar të gjitha të dhënat dhe dokumentacioni për importin dhe eksportin e këtyre dy karburanteve në vend.
Çfarë është e diskutueshme nëse kryhet rieksport i karburantit me këtë zbritje?
Së pari, zbritja që e jep OKTA është e destinuar për tregun e brendshëm, respektivisht për qytetarët dhe kompanitë nga Maqedonia që duhet ta ndiejnë drejtpërdrejt përfitimin.
Nëse karburanti eksportohet me zbritje, kompanitë në tregjet e huaja realizojnë fitim shtesë, gjë që mund të krijojë konkurrencë të pandershme, madje edhe ndaj vetë OKTA-s.





