“Dëgjova sot paraqitjen e ministrit të Drejtësisë së Maqedonisë, i cili u shpjegonte mediave dhe publikut se si me zell kishte mbledhur informacione nga gjykatat dhe si kishte pritur pushtetin e ri në Hungari për t’u informuar për ndryshimin e statusit tim këtu dhe për të nisur procedurën e ekstradimit. E shikoj dhe pyes veten: kush është në pushtet në Maqedoni?! Duke parë nga jashtë, aspak nuk duket se LSDM-ja e kriminelit Zaev, me urrejtjen dhe metodat e tij të pista, është larguar nga pushteti”, tha Nikolla Gruevski.
“I propozoj ministrit që me po aq zell të hetojë abuzimet dhe procedurat e paligjshme gjatë ndjekjes politike në vitet e Zaevit, proceset gjyqësore të montuara dhe padrejtësitë që u bënë për të sunduar më lehtë.
I propozoj të mbledhë informacione se si dërgoheshin lista nga kabineti i Zaevit për atë se kush duhej të ndiqej penalisht që të paraqitej si kriminel dhe të largohej nga politika, e kush të shantazhohej për të dëshmuar në mënyrë të rreme kundër të tjerëve.Të mbledhë informacione për shumë dëshmitarë apo të akuzuar, të cilët me shantazhe dhe kërcënime të ndryshme të paligjshme detyroheshin të jepnin deklarata dhe dëshmi të rreme”, theksoi Gruevski
“Të mbledhë informacione nga avokatët e të akuzuarve për atë me çfarë janë përballur ata, ku disa prej tyre për shkak të presioneve dhe kërcënimeve të rënda u detyruan të tërhiqen nga roli i mbrojtësit, të tjerë u heshtën, ndërsa disa nuk mund të besonin çfarë po ndodhte në sallat e gjyqit.Të lexojë aktakuzat, të ashtuquajturat “prova”, të lexojë vendimet dhe të shohë sa prej tyre janë marrë mbi supozime të rreme, për shkak të presionit që në atë kohë kishin gjyqtarët nga aparati i Zaevit dhe PSP-ja, për të cilën çdo ditë po dalin dëshmi në media, ndërsa ministri sillet sikur nuk i ka parë”.
“Të shohë çfarë vendimesh janë marrë për blerjen e një makine të blinduar, ku jam akuzuar se kam ndikuar që ajo të blihej për të përfituar, ndërsa “përfitimi” paskësh qenë që disa herë jam transportuar me atë makinë.
Të shohë si paskam blerë parcela pa i dhënë askujt para, pa i kërkuar askujt ta bëjë këtë në emrin tim, dhe pa pasur lidhje me kompaninë që i ka blerë.Të shohë si paskam blerë dy banesa, kur pronari ka nënshkruar kontratë me mua për t’i marrë me qira, ndërsa drejtori i tij, që gjoja i ka blerë për mua, ka deklaruar se i ka paguar me paratë e veta, se kurrë nuk ka marrë para nga unë dhe se asnjëherë nuk kam kërkuar diçka të tillë prej tij.Të lexojë si jam dënuar për dhunë për shuplaka të pretenduara, që askush nuk i ka dhënë kurrë, pas “dëshmisë kyçe” të këshilltarëve të LSDM-së në Komunën Qendër, të cilët thanë se e kishin “ndjerë shpirtin tim” në protestat para komunës, dhe si gjykatësi refuzoi të dëgjojë dëshmitarët e mi, gjithsej tre”, u shpreh Gruevski.
Ai tha se të shoh si gjykohet një ish-kryeministër sepse ka dashur që autostrada Kërçovë-Ohër të përfundojë më herët, para zgjedhjeve, për të fituar më shumë pikë te votuesit.Të krahasojë si janë financuar të gjitha partitë dhe nëse ka pasur ndonjë dallim në financimin e VMRO-DPMNE-së.
“Në mënyrë të qetë dhe diskrete t’i pyesë gjyqtarët se si vinin “porositë” për vendime nga kabineti i kryeministrit të atëhershëm dhe çfarë i priste nëse vendosnin ndryshe, siç u demonstrua me shkarkimin e gjyqtarit në rastin e rrugëve.Dhe të mos çuditet kur politikanë apo gazetarë të huaj më quajnë kriminel. Ata nuk janë të njohur me detajet dhe nuk janë të detyruar të jenë, por ministri i Drejtësisë mund të njihet me to dhe t’i shpjegojë”, shtoi ai.
Gruevski thotë se një ditë, e gjithë kjo do të arrijë edhe në BE, dhe se ajo që ai e quan sistem drejtësie do të shihet nga këndi i vërtetë.
“Nëse ministri nuk dëshiron të bëhet pjesë e një loje të madhe dhe të pistë nga e kaluara, duke mbledhur vetëm dosjet për mua, le t’i verifikojë edhe këto çështje dhe pastaj të veprojë sipas ndërgjegjes dhe ligjit,” tha Gruevski./Alsat.mk.





