Bekim Qoku nga VLEN ka reaguar lidhur me situatën mediatike dhe politike në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se opozita sot gëzon më shumë hapësirë se kurrë më parë.
Qoku kritikoi ashpër shpenzimet për media, duke thënë se “derdhen dhjetëra mijëra euro për reportazhe të porositura për të blerë narrativë” duke shtuar se “madje importohen edhe figura mediatike nga jashtë për interesa të caktuara”.
Ai tha se realiteti ka ndryshuar, pasi siç tha “sot shqiptarët janë më të lirë se kurrë, flasin dhe protestojnë pa frikë” dhe se “ndjehet një çlirim nga frika dhe presioni që ka ekzistuar për vite me radhë”.
“Hapësirën mediatike dhe lirinë e shprehjesh që e gëzon opozita e sotme shqiptare në Maqedoninë e Veriut, nuk e ka pasur kurrë në deri në qershor 2024 opozita e djeshme.
Sot derdhen dhjetëra mijëra euro për reportazhe vajtuese, të prodhuara nga gazetare e gazetarë mercenarë, për të blerë narrativë sipas porosisë së paguesit.
Madje importohen edhe “peshkaqenë” mediatikë nga jashtë, si puna e Batonave, Buzhalave, Blendave, Adriatikëve për t’i lyer me petk patriotizmi figura që në gjithë rajonin njihen për korrupsion, imoralitet dhe klientelizëm. E motivi? Vetëm paraja.
Është për të ardhur keq që për një reportazh opozita e sotme është në gjendje të paguajë deri 30 mijë euro, siç po i shohim kohës së fundit.
Por, pavarësisht kësaj zhurme të paguar, realiteti ka ndryshuar rrënjësisht”, ka shkruar Qoku.





