“Formësimi i një të ardhmeje në paqe” është motoja nën të cilën do të mbahet nesër dhe pasnesër konferenca globale në Lusaka të Zambisë, me rastin e 3 majit, Ditës Botërore të Lirisë së Mediave.
Sipas Raportit të Trendeve Botërore të UNESCO-s 2022-2025, liria e mediss ka përjetuar rënien më të madhe që nga viti 2012. Kjo rënie është e krahasueshme me atë të vërejtur gjatë periudhave më të paqëndrueshme të shekullit të 20-të – dy luftërat botërore dhe Lufta e Ftohtë.
“Manipulimi i informacionit, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale nga aktorë keqdashës, minon besimin dhe sigurinë kombëtare. Në të njëjtën kohë, mediat e pavarura përballen me një cenueshmëri ekonomike në rritje. Autocensura është rritur me më shumë se 60 përqind, e nxitur nga frika e hakmarrjes, ngacmimit online, frikësimit gjyqësor dhe presionit ekonomik. Dita Botërore e Lirisë së Shtypit 2026 është një moment kritik për të riafirmuar lirinë e shprehjes dhe për të bashkuar gazetarinë, teknologjinë (përfshirë inteligjencën artificiale) dhe aktorët e të drejtave të njeriut rreth mënyrave praktike për të forcuar ekosistemet e informacionit për të ardhmen”, deklaron UNESCO.
Bashkimi Evropian, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Mediave, e cila festohet më 3 maj, tha se mediat e lira dhe të pavarura janë themeli i çdo shoqërie demokratike dhe se gazetarët duhet të mbrohen në të gjitha rrethanat.
Deklarata e Bashkimit Evropian thotë se demokracia nuk mund të ekzistojë pa media të lira dhe se qasja në informacion dhe liria e shprehjes nuk janë privilegje, por të drejta themelore të njeriut.
BE-ja paralajmëron se dhuna ndaj gazetarëve po rritet në mbarë botën, duke përfshirë vrasjet, lëndimet, kërcënimet, arrestimet arbitrare dhe dëbimet me forcë. Ajo thekson veçanërisht se gazetaret femra janë në shënjestër në mënyrë disproporcionale të dhunës me bazë gjinore, duke përfshirë edhe ngacmimin online.
Siç u tha, viti 2025 ishte viti më vdekjeprurës për gazetarët në nivel global, dhe vrasjet dhe sulmet ndaj punonjësve të medias, përfshirë ato në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, si dhe në luftërat në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Rripin e Gazës, Liban dhe Afrikë, duhet të hetohen plotësisht dhe përgjegjësit të ndëshkohen.
Deklarata paralajmëron gjithashtu se e drejta për informacion është gjithnjë e më shumë nën kërcënim, me presione në rritje si frikësimi dhe paditë për frikësim publik (SLAPP), të cilat inkurajojnë vetëcensurën midis gazetarëve. BE-ja dënon shtypjen e gazetarëve nga regjimet autoritare në të gjithë botën, përfshirë dhunën dhe presionin në Iran.
“Qeveritë duhet të krijojnë një kuadër të fortë ligjor për të mbrojtur gazetarët nga abuzimi me proceset gjyqësore. Kufizimi i rrjeteve të korrespondentëve të huaj sot lë vetëm më shumë hapësirë për përhapjen e informacionit të rrezikshëm dhe të paverifikuar. Në të njëjtën kohë, kanalet individuale që paraqiten si media përhapin lajme të rreme dhe përcjellin pikëpamjet e autoriteteve, në vend që t’i mbajnë ato përgjegjëse. Si rezultat, qytetarët janë gjithnjë e më të ekspozuar ndaj propagandës dhe dezinformimit që maskohet si lajm”, shtohet në deklaratë.
Me mesazhin se solidariteti është themeli i gazetarisë si profesion i bazuar në mbrojtjen e interesit publik, Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SSNM), së bashku me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe në bashkëpunim me Kryqin e Kuq, shënuan 3 Majin, Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.





