Bronks, New York – Të shtunën më 12 prill 2026, në sallën festive të “Maestro’s Caterers”, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë kremtoi me dinjitet të veçantë 25-vjetorin e themelimit të saj.
Dhjetëra poetë, shkrimtarë, artistë, gazetarë, biznesmenë dhe miq të kulturës shqiptare u mblodhën për të festuar këtë jubile, duke e kthyer darkën në një moment të rrallë bashkimi rreth gjuhës dhe letërsisë.
Ceremonia nisi me emocione të thella. Dea Elezaj këndoi Himnin e Shteteve të Bashkuara, ndërsa Valbona Peraj atë kombëtar të Shqipërisë.
Eventin e moderuan Presidenti Adnan Mehmeti dhe kryetarja Dr. Yllka Filipi.
Atmosfera ishte e ngrohtë, plot mirënjohje dhe reflektim për një udhëtim njëçerek shekullor.
Në fjalën e tij të titulluar “Një shtëpi për fjalën shqipe”, Presidenti Adnan Mehmeti foli me dinjitet për rrugëtimin e kësaj shoqate : “Një dritë e vogël që nuk u shua as në largësi na ka udhëhequr ndër vite”, tha ai.
“Kjo Shoqatë ka qenë për shumë prej nesh më tepër se një organizatë: një shtëpi e përbashkët ku fjala jonë kapërcen kufijtë dhe mbart shpirtin e popullit”. Ai theksoi se letërsia e diasporës shkruhet mes dy botëve atdheut të origjinës dhe atdheut të ri, ndërsa gjuha shqipe lidh këto dy horizonte në një krijimtari unike.
Shoqata, e themeluar 25 vjet më parë nga poeti dhe shkrimtari i shquar Gjekë Marinaj, lindi nga nevoja për të bashkuar krijuesit shqiptarë në Amerikë. Gjatë këtyre viteve ajo është shndërruar në një pikë referimi të rëndësishme për fjalën shqipe jashtë atdheut. Veprimtaritë e saj përfshijnë promovime librash, konferenca, takime krijuese, botimin e revistës “Pena” si platformë për letërsi, kritikë dhe studime, si dhe organizimin e Panairit të Librit Shqiptar një traditë kjo që do të vazhdojë edhe këtë vit me edicionin e pestë, u shpreh Mehmeti.
“Dy vëllime historiku (2001-2011 dhe 2012-2021), Leksikoni i anëtarëve me bibliografi të plotë, si dhe antologji të shumta në shqip e anglisht, përbëjnë një arkiv të vlefshëm për studiuesit e letërsisë shqipe në diasporë” tha Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë
Dr. Yllka Filipi, kryetarja aktuale e Shoqatës, theksoi rëndësinë ontologjike të bashkimit.
Duke thënë se: “Bashkimi i shkrimtarëve nuk është vetëm një akt organizativ, por një domosdoshmëri thelbësore. Shkrimtari kalon nga “unë” në “ne”, duke kapërcyer vetminë dhe duke u bërë pjesë e një historie më të madhe.”
Ndërsa, duke cituar Hegel, Rousseau dhe Platon, ajo tha se vetëdija realizohet përmes tjetrit, forca lind nga bashkimi i vullneteve dhe tërësia është më e madhe se shuma e pjesëve: “Kështu, shoqata jonë bëhet urë mes brezave, mes Nolit, Konicës dhe zërave të rinj që vazhdojnë të ëndërrojnë në shqip.”
Një moment i veçantë i kësaj feste jubilare, ishte nderimi i poetës së shquar Luljeta Lleshanaku me titullin “Anëtare Nderi”.





