Përplasje mes partive e gjyqtarëve për Ligjin e Gjuhëve, secili ka interpretimin e vet për mendimin e Venecias

Ka kaluar një vit që kur Komisioni i Venecias publikoi mendimin për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, ndërsa Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka caktuar seancën përgatitore për lëndën më të vjetër në gjykatë, në të cilën do të duhej që ekspertë të brendshëm dhe ndërkombëtar, t’i ndeshin argumentet rreth kushtetutshmërisë së ligjit, para se gjyqtarët të marrin vendimin final, shkruan Alsat. Megjithatë, ashtu siç shpjeguan nga Kushtetuesja për Alsat, pa u zgjedhur gjyqtari i fundit, seanca nuk mund të mbahet, ndërsa zgjedhja e gjyqtarit ka ngecur në Kuvend, pasi Këshilli Gjyqësor e propozoi gjyqtaren e Apelit, Meri Dika Georgievska. Në fakt, ende është në fuqi edhe konkluzioni i Kushtetueses se vendimi për këtë lëndë e cila qëndron në sirtar prej vitit 2019-të, duhet të merret me përbërje të plotë.

Derisa pritet që gjykata të vendos për lëndën, partitë e interpretojnë ndryshe këshillën miqësore të Komisionit të Venecias, për të cilën pati dje dhe debat të ashpër në Kuvend mes përfaqësuesve të BDI-së të cilët e quajnë pozitive dhe kryeministrit Hristijan Mickoski që e quan negative. Megjithatë, vetë Komisioni i Venecias ka shmangur etiketimin e ligjit me terma konkrete që aludojnë në pozitiv apo negativ, duke u përmbajtur në qëndrimet se çështjet nuk mund të priten me thikë.

Në përgjigjen prej 12 faqesh thuhet se “asgjë nuk e pengon shtetin të garantojë të drejta më të gjera gjuhësore në procedurat gjyqësore, me kusht që kjo të mos pengojë administrimin e duhur të drejtësisë. Por, nëse bëhet një zgjedhje e tillë, është edhe më thelbësore të sigurohen burime të mjaftueshme financiare që lejojnë zbatimin e dispozitave ligjore”. Pra, në një farë mënyrë, Venecia e lë këtë çështje në dorë të shtetit dhe financave të tij.

Ndërkohë Komisioni i Venecias në vitin 2019 kishte dhënë një vlerësim tjetër për Ligjin e Gjuhëve i cili pasi u miratua ishte dërguar për mendim nga qeveria. Asokohe, Venecia kishte theksuar se në fusha të caktuara, ligji shkon shumë larg duke i imponuar institucioneve publike detyrime joreale, në veçanti në procedurat gjyqësore.

Pikërisht këto çështje që kanë të bëjnë me Ligjin e Gjuhëve dhe jo vetëm, janë temë debati në opinion, e të cilat pritet të hapen edhe gjatë seancës përgatitore.

Çështje e nxehtë do të jetë edhe neni 23 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, i cili parashikon harmonizimin e ligjit me ligjet tjera.

Neni 23 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve

Neni në fjalë i cili llogaritet të jetë shtylla kurrizore e ligjit, është bërë shkak i përplasjes publike të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski dhe gjyqtarit Osman Kadriu. Sipas Kostadinovskit neni është antikushtetues, ndërsa sipas gjyqtarit Kadriu nëse shfuqizohet ky nen, atëherë vjen në pikëpyetje ligji dhe i jepet fund përdorimit zyrtar të shqipes. /Alsat.mk.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit