Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, në një deklaratë për Biznes Plus bëri të ditur planet për zhvillimin e infrastrukturës rekreative përgjatë liqenit, duke përfshirë ndërtimin e një shtegu modern për këmbësorë dhe biçikleta.
Qyra: Shteg i ri përgjatë liqenit për këmbësorë dhe biçikleta, nga Struga në Ohër
Sipas tij, projekti për rrugën “Te Vreshtat” lidhet drejtpërdrejt me rrugën përreth liqenit dhe parashikon një shteg të dedikuar për këmbësorë dhe çiklistë, si dhe një rrugë të asfaltuar të shoqëruar me gjelbërim atraktiv.
Qyra theksoi se ky projekt është një hap i rëndësishëm për zgjerimin e mëtejmë të shtegut, me synim që ai të vazhdojë deri në Ohër.
“Jemi marrë vesh me kryetarin e Ohrit që pjesën në territorin e tyre ta realizojnë ata, ndërsa pjesën tonë do ta realizojmë ne, me qëllim që të lidhim dy qytetet përgjatë liqenit,” u shpreh ai.
Sipas tij, ky investim synon të rrisë ofertën turistike dhe të krijojë një lidhje funksionale mes Strugës dhe Ohrit, duke u ofruar vizitorëve mundësi për lëvizje të lehtë dhe përjetim më të plotë të zonës përreth liqenit.





