Weitz: Qeveria e RMV-së nuk i ka mbyllur 8 nga 10 pikat në agjendën e reformave, ndërsa qershori është afër

Në një intervistë për TV Kanal 5, raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Thomas Weitz, tha se qeveria në Shkup nuk ka mbyllur 8 nga 10 pikat e agjendës së reformave dhe ato duhet të mbyllen, pra të finalizohen, deri në qershor, transmeton Portalb.mk.

“Qershori është shumë afër dhe shpresoj shumë që qeveria do të arrijë t’i përmbushë ato. Në shtatë javët e fundit, kemi parë njëfarë progresi. Ndërkohë, po flasim për 49 milionë euro dhe, siç thashë, vetëm dy nga 10 pikat janë përmbushur plotësisht”, tha Weitz në intervistë.

Ai theksoi se disa gjëra janë ende në pritje, siç janë pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve, por edhe për të tjerët që punojnë në institucione.

 

“Ende ka pyetje të hapura në lidhje me energjinë…, ka ende tetë pika specifike që duhen finalizuar ose plotësuar. Koha është e shkurtër, por nuk po heq dorë nga shpresa se qeveria do të ketë sukses sepse do të ishte një turp i vërtetë nëse Maqedonia e Veriut nuk do të merrte këto pothuajse 50 milionë euro nga Plani i Rritjes dhe ato para do të shpërndaheshin më pas në vendet e tjera të rajonit”, paralajmëron Thomas Weitz.

Lidhur me protokollin e Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë dhe çështjen që është pjesë e kornizës negociuese, Weitz tha se është një çështje ligjore.

“Nuk po mbaj anën e askujt, pavarësisht nëse njëri apo tjetri interpretim është i saktë. Por fakti që ka interpretime të ndryshme dhe nuk ka qartësi të plotë nga Këshilli i BE-së më motivoi të propozoja këtë amendament. Është ende në tekst, le të shohim nëse do t’i “mbijetojë” negociatave përfundimtare”, tha Weitz.

Kur u pyet nga prezantuesi nëse amendamenti do të mbijetonte, Weitz tha se “mund të modifikohet më tej”.

“Na duhet qartësi mbi atë që BE pret që të bëjë Maqedonia e Veriut. Kjo duhet të sqarohet dhe shoh se tashmë ka nxitur diskutime në Këshillin e BE-së, dëgjoj se ka një diskutim midis diplomatëve, në Komisionin Evropian. Nëse do të kalojë apo jo është çështje e shumicës, unë përgatis raportin, ne negociojmë raportin, por vendimi përfundimtar është gjithmonë demokratik. Jam i bindur se do të gjejmë gjuhë të përbashkët për këtë çështje”, tha Weitz.

Lidhur me çështjen e gjuhës maqedonase, Weitz tha se e kupton që është një çështje veçanërisht emocionale për të dyja palët, por se ai mbetet i pikëpamjes se çështjet dypalëshe duhet të zgjidhen në mënyrë dypalëshe.

Maqedonia e Veriut po hyn në një periudhë vendimtare sa i përket përfitimit të mjeteve nga Bashkimi Evropian, ndërsa të dhënat tregojnë qartë se mungesa e reformave po e lë vendin pa qasje në dhjetëra miliona euro të planifikuara. Edhe pse tabela e Instrumentit për Reformën dhe Rritjen paraqet nivele të larta potenciale financimi për vitet 2025 dhe 2026, të njëjtat me po aq potencialitet rrezikohen të humben. Deri më tani, Maqedonia e Veriut ka përfituar vetëm një pjesë të vogël të fondeve të parashikuara. Bëhet fjalë për rreth 52 milionë euro parafinancim, si mbështetje fillestare, dhe një këst shtesë prej vetëm 8 milionë eurosh të lëshuar në shtator 2025 për reformat e realizuara gjatë vitit 2024. Për të gjitha fazat e tjera të lidhura me reformat konkrete, nuk ka fonde të reja. Kjo do të thotë se pjesa dërrmuese e mjeteve mbetet e bllokuar dhe e kushtëzuar nga përmbushja e obligimeve që deri tani nuk janë realizuar.

Përndryshe, Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë është shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit