Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kërkuar fillimin e menjëhershëm të hetimeve ndaj Burim Latifit, drejtor i përgjithshëm i MEPSO-s, pas një vendimi ndërkombëtar që obligon shtetin të paguajë 6 milionë euro dëmshpërblim, si pasojë e vendimeve të tij.
Sipas BDI-së, Latifi ka anuluar kontratën ekzistuese me kompaninë “Energoinvest” nga Sarajeva dhe e ka zëvendësuar me “ELNOS BL DOOEL” nga Banja Luka, kompani që, sipas tyre, është e lidhur me rrjetin e interesave të Milorad Dodikut.
Tribunali ndërkombëtar DAB, që vepron sipas rregullave FIDIC, ka rrëzuar të gjitha kundërkërkesat e MEPSO-s në vlerë prej 19.3 milionë eurosh dhe i ka njohur “Energoinvest”-it të drejtën për dëmshpërblim prej 6 milionë eurosh. Kjo shumë pritet të paguhet nga buxheti i shtetit.
BDI vlerëson se Latifi, i emëruar në krye të një ndërmarrjeje strategjike shtetërore mbi baza familjare dhe politike, ka marrë vendime që kanë dëmtuar drejtpërdrejt interesin publik dhe kanë lejuar përfshirjen e një kompanie të lidhur me Dodikun në infrastrukturën kritike energjetike të një vendi anëtar të NATO-s.
Nga kjo parti kërkohet që Prokuroria Publike të nisë hetime penale ndaj Latifit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtim të buxhetit shtetëror. Po ashtu, kërkohet auditim i plotë i të gjitha kontratave të nënshkruara gjatë mandatit të tij, si dhe pezullimi i menjëhershëm i marrëveshjes me “ELNOS BL DOOEL” deri në sqarimin e plotë të rastit.
“Gjashtë milionë euro nga buxheti i shtetit janë çmimi i emërimeve politike dhe i lidhjeve me Dodikun. Burim Latifi duhet të japë llogari”, thuhet në reagimin e BDI-së.






