Afera me botoks dhe filerë ilegalë në Maqedoninë e Veriut nuk është më vetëm çështje policore, por alarm serioz për shëndetin e qytetarëve.
Pas aksionit të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku u arrestuan disa persona, mes tyre edhe mjekë, u bë e ditur se preparate të paligjshme janë përdorur në trajtime estetike ndaj pacienteve.
Sipas hetimeve, botokset dhe filerët kanë hyrë në vend përmes kanaleve ilegale, pa kontroll, pa regjistrim dhe pa garanci për përbërjen e tyre.
Por rreziku real shkon përtej aspektit ligjor.
Ekspertët paralajmërojnë se komplikimi më i rëndë nga filerët është injektimi në enë gjaku, që mund të shkaktojë bllokim të qarkullimit, dëmtim të indeve, madje edhe verbim ose goditje në tru.
Zonat më të rrezikshme janë rreth syve, hundës dhe ballit, ku materiali mund të arrijë deri në qarkullimin e syrit.
Ndërkohë, botoksi i falsifikuar ose i aplikuar gabimisht mund të shkaktojë probleme serioze neurologjike si shikim i dyfishtë, rënie të qepallave, vështirësi në gëlltitje dhe frymëmarrje.
Në raste të rënda, kjo mund të çojë në botulizëm – një gjendje e rrallë, por e rrezikshme që prek sistemin nervor dhe mund të shkaktojë paralizë.
Rrezik shtesë paraqet edhe aplikimi nga persona të pa trajnuar, që mund të dëmtojnë nervat dhe të lënë pasoja si mpirje, asimetri të fytyrës dhe dhimbje kronike.
Sipas ekspertëve, kombinimi i një preparati të dyshimtë dhe një personi të pa kualifikuar e kthen pacientin në një “eksperiment”.
Institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve të kenë kujdes, të informohen për produktet që përdoren dhe të zgjedhin vetëm profesionistë të licencuar.
Sepse në fund, një ndërhyrje që duket e thjeshtë estetike, mund të përfundojë me pasoja të përhershme për shëndetin.




