Komisioni për Punë të Jashtme miraton marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes. Pas votimit në mënyrë unanime iu hap rruga kësaj marrëveshje për miratim në Kuvend, derisa u tha se e njëjta do të miratohet para datës 28 prill, kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit dhe rreziku për zgjedhjet e reja,

Paraprakisht të mërkurën u mbajt një mbledhje e grupit punues të këtij komisioni për të shqyrtuar këtë marrëveshje dhe u pajtua për miratimin e tij ashtu siç ka ardhur në Kuvend, pa ndryshimin e paragrafit dy të nenit dy të ujdisë, siç ishte kërkuar në mbledhjen e para dy javësh në komision.

Kryetarja e komisionit, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, pas mbledhjes tha se janë dakorduar për ta miratuar projektligjin si të tillë për të mos pasur ndonjë kundërshtim me Konventën e Vjenës dhe konventat e tjera për marrëveshjet ndërkombëtare.

Megjithatë, ajo tha se arsyeja pse kanë kërkuar më shumë kohë për këtë marrëveshje ka qenë përshtatshmëria me legjislacionin dhe kushtetutën e Kosovës. Sipas saj, pas analizës përmbajtja e projektligjit është në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Nuk kemi insistuar për ndryshimin e paragrafit dy të nenit dy. Thjesht kam menduar që janë dy rreshta që mundemi me bërë një ndërhyrje për shkak të përshtatshmërisë me legjislacionin në Kosovë. Arsyeja pse kam kërkuar më shumë kohë në trajtimin e këtij projektligji dhe jo të marrëveshjes, pasi ne e dimë se nuk mund të ndërhyjmë në përmbajtjen e asaj se çka thuhet në memorandumin shpjegues dhe marrëveshjet e vet Bordit të Paqes….Jemi dakorduar për të mos pasur ndonjë kundërshtim me Konventën e Vjenës dhe konventat e tjera ndërkombëtare po e lëmë përmbajtjen e ligjit të tillë siç është sepse përmbajtja e konventës është në përputhje me atë se çfarë e kërkon legjislacioni në fuqi dhe kushtetuta e Kosovës”, tha ajo.

Deputetja e mazhorancës nuk konfirmoi nëse kjo marrëveshje do të përfshihet në dy seancat plenare të kësaj jave, mirëpo shtoi se e njëjta do të miratohet para datës 28 prill.

“Nuk varet prej nesh një gjë e tillë, por e di se kjo marrëveshje ndërkombëtare do të votohet para datës 28 të këtij muaji”, tha ajo.

Para dy javësh, Komisioni për Punë të Jashtme nuk miratoi marrëveshjen, pasi u kërkua nga deputetët e mazhorancës sqarime shtesë për paragrafin dy të nenit dy, ku flitet për promovimin e stabilitetit, rivendosjen e një qeverisje të besueshme e të ligjshme si dhe garantimi i paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose kërcënuara nga konfliktet.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit