Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka kryesuar sot Mbledhjen e 14-të të nën-grupit sektorial të punës për Punët e Brendshme, ku në fokus ishin prioritetet reformuese dhe projektet që pritet të realizohen në periudhën e ardhshme.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Bashkimit Evropian, organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve vendore, me ç’rast u diskutua për avancimin e proceseve reformuese në sektorin e sigurisë dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
Iseni theksoi përkushtimin e Ministrisë për forcimin e sistemit të sigurisë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe avancimin e sundimit të ligjit.
Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian përmes programit IPA, duke vlerësuar se kjo ndihmë ka rol të rëndësishëm në modernizimin e institucioneve dhe përafrimin e vendit me standardet evropiane.



