Balla takon raportuesin për Shqipërinë në PE: Raporti që votohet në 5 maj vlerëson arritjet e Shqipërisë

 Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u takua sot në Bruksel me raportuesin për Shqipërinë në Parlamentit Europian, Andreas Schieder.

Temë e bisedimeve ishte ecuria e procesit të integrimit dhe progresi i reformave në vend.

Sipas Ballës “raporti i këtij viti për Shqipërinë, i cili tani ka marrë formën përfundimtare dhe do të votohet në AFET më 5 Maj, është një udhërrëfyes i rëndësishëm ku vlerësohen arritjet e Shqipërisë”.

“Në këtë raport inkurajohet vazhdueshmëria e këtij momentumi të rëndësishëm reformash në vendin tonë dhe përafrimi i legjislacionit me acquis e BE, duke nënvizuar se progresi i dukshëm i Shqipërisë në rrugën Europiane kontribuon në stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë dhe më gjerë në Europë”, tha Balla.

Përmes një videomesazhi nga Brukseli, Balla nënvizoi se afatet e dakordësuara me Komisionin Europian do të respektohen.

“Kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumë shekullore. Këtu në Bruksel ka një atmosferë shumë pozitive në këtë drejtim. Jemi shumë afër dhe do të bëjmë gjithçka për të përmbushur detyrimet tona sipas afateve të dakordësuara me Komisionin Europian,” tha Balla.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit