VLEN sot nuk përfaqëson shqiptarët. VLEN sot përfaqëson arsyetimet e atyre që duan ta nënshtrojnë gjuhën shqipe. Kështu e nis reagimin BDI, e cila i është përgjigjur akuzave të VLEM-it se, është Talat Xhaferi ai që ka firmosur Ligjin për Jurisprudencën e që nuk parashihet shqipja në provim.
“Pasi studentët e drejtësisë i demaskuan me protestë, pasi opinioni publik e pa pafuqinë e tyre në qeveri, tani kanë dalë me një mashtrim të ri: po mundohen ta hedhin fajin te e kaluara, vetëm që të fshehin dorëzimin e tyre në të tashmen. Le ta sqarojmë prerë: Në atë ligj nuk ekziston fare dispozitë për gjuhën. As ndalim për shqipen. As rregullim për maqedonishten. Asnjë klauzolë gjuhësore. Pra, po gënjejnë me vetëdije”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Për më tepër, vijon më tej reagimi, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve e ka rregulluar qartë këtë çështje.
“Neni 23, alineja 5, përcakton se nëse ligjet tjera nuk harmonizohen brenda afatit ligjor, mbizotërojnë dispozitat e këtij ligji. Kjo do të thotë se baza juridike ekziston, e drejta ekziston, obligimi ekziston. Ajo që nuk ekziston është dinjiteti politik i VLEN-it. Në vend që të kërkojnë zbatim të ligjit, ata kërkojnë justifikime”.
Në vend që të mbrojnë studentët shqiptarë, ata mbrojnë Ministrinë që ua mohon të drejtën, akuzon BDI.
“Në vend që të përballen me padrejtësinë, ata sulmojnë ata që e ngritën zërin. Kjo është fytyra reale e tyre: dekor shqiptar në qeveri, funksion kundër interesit shqiptar. Sot nuk po testohen studentët në provim jurisprudence. Sot po testohet VLEN-i. Dhe ranë. Ranë në provimin e dinjitetit. Ranë në provimin e përfaqësimit. Ranë në provimin e gjuhës shqipe”.
Ata që sot heshtin kur preket gjuha shqipe, thuhet në fund të reagimit, nesër do të heshtin për çdo të drejtë tjetër.



