Gjiganti teknologjik Amazon, në pronësi të Xhef Bezos, ka njoftuar se do ta blejë kompaninë e telekomunikacionit Globalstar për 90 dollarë për aksion, në një marrëveshje me vlerë rreth 11,57 miliardë dollarë, ose afërsisht 9,81 miliardë euro.
“Kjo marrëveshje do t’i japë një shtysë të madhe biznesit të ri të Amazon në fushën e internetit satelitor përmes satelitëve LEO (në orbitë të ulët), ndërsa kompania po forcon konkurrencën me SpaceX të Elon Musk”, raportoi CNBC.
Pas publikimit të lajmit, aksionet e Globalstar u rritën me më shumë se 10%, ndërsa aksionet e Amazon shënuan rritje rreth 3%.
Sipas marrëveshjes, Amazon do të marrë përsipër operacionet ekzistuese satelitore, infrastrukturën dhe asetet e Globalstar, përfshirë edhe një pjesë të licencave të spektrit të frekuencave radio me autorizime globale. Satelitët e rinj të Globalstar, së bashku me flotën ekzistuese, do të integrohen në rrjetin më të gjerë të kompanisë së Bezos.
Amazon thotë se kjo blerje do të mundësojë zhvillimin e një sistemi të vet satelitor për transmetim të drejtpërdrejtë të të dhënave te pajisjet fundore, me implementim që pritet të nisë në vitin 2028.
“Duke kombinuar eksperiencën e Globalstar dhe inovacionet e Amazon, përdoruesit do të kenë shërbim më të shpejtë dhe më të besueshëm në më shumë zona”, thuhet në deklaratën e nënkryetarit të Amazon për pajisje dhe shërbime, Panos Panay.



