Kryeministri hungarez Viktor Orban ra nga pushteti. Partia “Tisa” e 45-vjeçarit Peter Magjar i cili iu fut politikës para dy vitesh fitoi bindshëm në zgjedhjet parlamentare, duke siguruar 138 ulëse në Kuvend nga gjithsej 199, respektivisht shumicë prej dy të tretash. Ndërkohë partia e Orbanit, i cili e pranoi humbjen fitoi 55 deputetë.
“Rezultati i zgjedhjeve është i dhimbshëm për ne, por i qartë. Përgjegjësia dhe mundësia e qeverisjes nuk na u dhanë. E përgëzova fituesin. Faleminderit të gjithëve për punën e shkëlqyer”, deklaroi Viktor Orban, Fidez.
Kryeministri në ardhje Magjar, në shpalljen e fitores u kujdes që të japë porosi pro-Evropë.
“Faleminderit që besuat se kjo mund të bëhet. Faleminderit që besuat se ne mund ta ndryshojmë fatin tonë. Faleminderit që besuat se ne, vetë populli hungarez, e shkruajmë historinë tonë. 00:43 “Sot, populli hungarez i tha po Evropës, i tha po Hungarisë së lirë, i tha po për t’i përfaqësuar, për t’i ndihmuar, për ta vënë vendin në rregull, sepse ka një qeveri hungareze!”, tha Peter Magjar, Tisa.
Fitorja e Magjar, i cili si fëmijë kishte mbajtur në dhomën e gjumit posterin e aktivistit antikomunist Orban, i dha fund pushtetit 16-vjeçar i cili ndër vite kishte marrë epitete të ndryshme, si autokratik apo regjim, për shkak të politikave shtrënguese kundër lirisë së mediave, aktivitetit të shoqërisë civile, ndërsa kritika ka pasur edhe për ndërhyrje në gjyqësor dhe manipulim të proceseve zgjedhore. Magjar me profesion është jurist, ndërsa ka punuar si diplomat në Bruksel, në bankën shtetërore hungareze, por edhe ka udhëhequr një agjenci kreditore për studentët. Magjar për opinionin hungarez deri para dy vitesh kishte qenë i njohur si ish bashkëshorti i ministres së Drejtësisë Judit Varga, e cila në vitin 2024 së bashku me presidenten Katalin Novak dhanë dorëheqje pas reagimeve të ashpra të publikut rreth faljes presidenciale të një personi të përfshirë në abuzimin seksual të fëmijëve. Deri atëherë edhe vetë Magjar kishte qenë pjesë e partisë së Orbanit, Fidez, por më pas u distancua duke e akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim të pushtetit, derisa shteti përballen me stagnim ekonomik. Jozyrtarisht flitet se në Hungari do të formohet së shpejti një prokurori speciale e modelit të Maqedonisë së Veriut e cila do t’i ndjekë veprat penale të pushtetit 16-vjeçar të udhëhequr nga Orbani dhe të strukturës së tij politike. Madje fushata e Peter Magjar përfshinte në doza të caktuara fushatën e njëjtë si në vitin 2015 në Maqedoni duke shpalosur përgjime që jepnin indikacione për shpërdorime të shumta të Orbanit dhe strukturës së tij me fondet në Hungari e kryesisht me paratë e BE-së./Alsat.mk.



