Pilotët e kompanisë ajrore gjermane “Lufthansa” kanë nisur një grevë dyditore që ka shkaktuar ndërprerje serioze në trafikun ajror.
Greva, e cila përfshin pilotët e markës kryesore, si dhe të “Lufthansa Cargo” dhe “Lufthansa CityLine”, filloi menjëherë pas mesnatës dhe do të zgjasë 48 orë. Në kompaninë Eurowings, të gjitha nisjet nga aeroportet gjermane do të preken vetëm gjatë ditës së sotme.
Pritet anulimi i qindra fluturimeve sot dhe nesër, ku më të goditur janë qendrat kryesore të trafikut ajror në Frankfurt dhe Mynih. Ky është raundi i katërt i grevave në këtë grup që nga fillimi i vitit. Javën e kaluar, një grevë njëditore e stafit të kabinës çoi në anulime masive të fluturimeve.
Greva është organizuar nga sindikata Vereinigung Cockpit dhe lidhet me pagat, sistemin e pensioneve dhe kompensimet në degën rajonale CityLine.
Nga Lufthansa u vlerësua se njoftimi për grevë përfaqëson një përshkallëzim të ri të konfliktit. Fluturimet drejt disa destinacioneve në Lindjen e Mesme janë përjashtuar nga greva.



