Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë prezantoi sot gjashtë përfaqësueset e Shqipërisë të cilat do të marrin pjesë në konkursin botëror të pikturës “Small Montmartre of Bitola” në Manastir, të Maqedonisë së Veriut.
Në 44 vite organizim të këtij aktiviteti, kanë marrë pjesë mbi 850 qendra nga 85 vende, me rreth 85,000 vizatime nga më shumë se 80,000 artistë të rinj nga e gjithë bota.
Drejtoresha e QKKF, Melci Qirici, bëri të ditur se kjo qendër është vlerësuar edhe këtë vit, me ftesën për pjesëmarrje në Koloninë Botërore të Artit për Fëmijë.
Bashkë me ftesën vjen dhe një vlerësim i veçantë për mësuesen e artit, Ruzmira Bejaj, e cila është nderuar me çmimin: “Montmartre i Vogël i Manastirit 2026” për përkushtimin dhe zhvillimin e talenteve të rinj në artin pamor”, tha Melci Qirici.
Në këtë koloni ndërkombëtare, në kuadër të 45-vjetorit jubilar, do të marrin pjesë 25 delegacione nga e gjithë bota me rreth 120 artistë të rinj.



