Reperja e njohur amerikane Cardi B ka rënë pre e një skeme mashtrimi me karta krediti, duke humbur rreth 60 mijë dollarë nga përdorimi i paautorizuar i kartës së saj.
Artistja bëri të ditur se karta e saj American Express ishte zhdukur prej dy javësh, ndërsa hajdutët arritën të kryenin shpenzime të mëdha përpara se ajo të bllokohej. Sipas saj, rreth 40 mijë dollarë janë shpenzuar për veshje luksoze, ndërsa afro 20 mijë dollarë për produkte të Apple.
Lajmin, reperja e ndau me ndjekësit përmes një videoje live në Instagram, ku u shfaq e irrituar dhe paralajmëroi autorët e dyshuar se do të përballen me drejtësinë.
“Më lini t’ju them se do të shkoni në burg deri në fund të javës,” u shpreh ajo, duke shtuar se ka siguruar pamje nga kamerat e sigurisë ku shihen katër persona duke përdorur kartën e saj.
Cardi B theksoi se është shumë e kujdesshme me financat dhe nuk toleron humbje të tilla, ndërsa paralajmëroi se do të kërkojë dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar.
Kujtojmë se në një intervistë të vitit 2024 për revistën Complex, ajo deklaroi se pasuria e saj neto kapërcen 88 milionë dollarë, duke theksuar se i menaxhon me kujdes shpenzimet.
“Nuk jam si disa nga këta të pasur… Asnjë dollar nuk mund të shpenzohet pa dijeninë time,” u shpreh reperja gjatë transmetimit live./KultPlus.com



