Shqiptari nga Maqedonia e Veriut, pjesë e Artemis II, misionin të NASA-s në Hënë

Nga një fshat i Gostivarit drejt një prej projekteve më ambicioze në historinë e eksplorimit hapësinor – historia e Albon Rexhepit është një dëshmi e qartë se përkushtimi dhe dija nuk njohin kufij.

Sot, ai është pjesë e misionit Artemis II të NASA, një projekt që synon rikthimin e njeriut në Hënë pas dekadash.

Me një rol drejtues në kompaninë DEWETRON në Shtetet e Bashkuara, Rexhepi kontribuon në teknologjinë e testimit dhe matjes – një komponent thelbësor për sigurinë dhe suksesin e misionit.

Rrugëtimi i tij profesional nisi pas studimeve në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, ndërsa përvoja e parë në SHBA e çoi në kompani të njohura si Pfizer dhe më pas Legrand, ku ndërtoi një karrierë të qëndrueshme përpara se t’i bashkohej DEWETRON-it në vitin 2022.

“Produktet tona përdoren në fazën e zhvillimit dhe prodhimit të komponentëve për Artemis II. Testimet janë thelbësore që projekti të mos ketë asnjë dështim”, është shprehur Rexhepi, duke theksuar rëndësinë kritike të punës së ekipit të tij.

Ai nënvizon se përgjegjësia në projekte të tilla është e jashtëzakonshme, pasi çdo detaj lidhet drejtpërdrejt me jetën e astronautëve.

“Në projekte të tilla duhet të jesh jashtëzakonisht i përpiktë, sepse këtu në pyetje janë siguria dhe jeta e astronautëve. Nuk ka hapësirë për gabime”, ka thënë ai për Portalb.mk.

Megjithatë, përtej suksesit profesional, Rexhepi e sheh historinë e tij edhe si një mesazh frymëzues për të rinjtë shqiptarë.

“Punoni dhe mësoni. Askush nuk mund t’ju mposhtë nëse keni një qëllim në jetë. Punoni fort dhe do t’ia dilni”, është thirrja e tij për brezat e rinj.

Ndërsa misionet e ardhshme pritet të hedhin më shumë dritë mbi planet për krijimin e një baze në Hënë, kontributi i profesionistëve si Albon Rexhepi mbetet një gur themeli në këtë kapitull të ri të njerëzimit në hapësirë – dhe një arsye krenarie për gjithë shqiptarët.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit