Tre të arrestuar në Shkup për sulm ndaj punonjësve pranë varrezave të Butelit

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njofton se më 7 prill 2026, në orët 13:40 dhe 19:10, zyrtarë policorë nga SPB Shkup kanë privuar nga liria tre persona: A.M. (48) dhe djemtë e tij J.M. (26) dhe B.M. (27), të gjithë nga Shkupi.

Sipas MPB-së, ata dyshohen se rreth orës 12:40, në afërsi të varrezave të Butelit, kanë sulmuar dy persona – E.D. (51) dhe M.D. (54), punonjës të ndërmarrjes SH.A. “Butel”. Gjatë sulmit, të dyshuarit kanë përdorur armë, përfshirë një pistoletë me gaz dhe mjete të mprehta si boks dhe thikë.

Si pasojë e sulmit, të dëmtuarit kanë pësuar lëndime trupore, të cilat janë konfirmuar në IPSH “Shën Naum i Ohrit”.

Nga MPB bëjnë të ditur se punonjësit i kanë vërejtur të dyshuarit pranë një varrimi dhe, duke qenë se i njihnin më herët si kryerës të veprave penale “vjedhje të rënda”, i kanë paralajmëruar se do të njoftonin policinë. Pas kësaj, ka ndodhur sulmi.

Të tre personat janë ndaluar dhe po mbahen në stacion policor, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të ngrihen kallëzime përkatëse.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit